Berisha në Bosnjë, marrëveshje për heqjen e vizave

Shqipëria dhe Bosnja nënshkruajnë një marrëveshje për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Marrëveshja u nënshkrua me homologun Nikola Spiriç, gjatë vizitës që kryeministri po zhvillon në Bosnje-Hercegovinë. Përveç liberalizmit të vizave, u nënshkruan edhe kaër marrëevshje të tjera mes dy vendeve. Kryeministri Berisha dhe kryeministri Spiriç, shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat. "Në 2 - 3 tre vitet e fundit marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë intensifikuar më shumë se kurrë, çka tregon vullnetin e fortë të qeverive dhe institucioneve tona për bashkëpunim, si dhe ndjenjat miqësore që kanë popujt tanë", u shpreh Kryeministri Berisha.Kryeministri Berisha dhe homologu i tij Nikola Spiriç, diskutuan dhe për inkurajimin e biznesit boshnjak që të investojë në Shqipëri. "Shqipëria është një vend i vogël, por që ka potencial jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Ajo ka rreth 400 kilometra vije detare, rreth 95 % e së cilës është e paprekur dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë të mirëpritur. Gjithashtu, mund të bashkëpunojmë për gazsjellës dhe Shqipëria ka depozita shumë të mëdha gazi, të cilat mund të mjaftojnë për gjithë rajonin", u shpreh kryeministri. Kryeministri Nikola Spiriç vlerësoi se ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje - Hercegovinës ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira tregtare, por të dy vendet do të bëjnë përpjekje më të mëdha, në mënyrë që kompanitë e Bosnje- Hercegovinës dhe Shqipërisë të kenë lehtësira për të vepruar ndërmjet dy vendeve.