Bashkëpronësia qytetare,miratohet drafti

Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar draftin e propozuar nga qeveria për bashkëpronësinë qytetare. Drafti në fjalë sanksionon me ligj marrëdhëniet mes banorëve të pallatit të cilët do të jenë të detyruar të mirëmbajnë hapsirat e përbashkëta. Jo vetem banoret e pallateve te reja, të ndërtuara pas viteve '90-të, por edhe ata të godinave të para këtyre viteve do të japin kontributin e tyre për mirëmbajtjen e pallatit. Ky është thelbi i projektligjit më të ri të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, pas kërkesave të vetë qytetarëve. Kanë qenë pikërisht ata që kanë kërkuar që të vendoset një sistem rregullator për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e godinave publike. Pas këmbënguljeve të mëdha, edhe Ministria e Transporteve nuk ka vonuar të hartojë projektligjin, duke e parë të arsyeshme një gjë të tillë.Në mënyrë kategorike, mund të thuhet se do të marrin fund sherret ndërmjet banorëve, që bartnin argumentin e pastërtise, apo të së kundërtës së tij, pisllëkut. Kjo, pasi në mënyre ligjore, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të pastrojnë me shkallën, mjedisin para pallatit, të kujdesen për ashensorin, apo edhe shërbime të tjera, në mënyrë individuale. Kjo, sepse në hyrje të çdo pallati do të ketë një administrator. Detyra e tij, sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Transporteve do të jetë mirëmbajtja e ambienteve tona të përbashkëta. Me mirëmbajtje do të kuptojme që nga gjelbërimi, pastrimi i shkallëve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensori, gjeneratori në rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, kolonat e shkarkimit, oxhaket, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes. Administratori i pallatit do të kujdeset për gjelberimin, pastrimin e shkalleve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensorin, gjeneratorin ne rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, kolonat e shkarkimit, oxhakët, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes. Për herë të parë hiqet kufizimi i viteve të ndërtimit të pallateve të cilat duhet të kenë administrator. Kësisoj, nëse më parë kishin administratore pallatet e ndërtuara pas viteve '90-te, tani sipas draftit do të kenë të tille edhe pallatet e ndërtuara para këtyre viteve. Për organizimin dhe zbatimin e rregullave që lindin nga bashkëjetesa në pallat krijohet Asambleja e Bashkëpronarëve, ku do të bëjnë pjesë të gjithë pronarët e hyrjeve të pallatit.