E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Bosnje, marrëveshje për lëvizjen e lirë

Gjatë një vizite që po zhvillon në Bosnje, kryeministri Berisha ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij boshnjak për heqjen e vizave. Dy kryeministrat, shprehën vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve mes 2 vendeve. 

BOSNJE- Shqipëria dhe Bosnja, nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve. Në vizitën që po zhvillon në Bosnje-Hercegovinë kryeministri Berisha takoi homologun Nikola Spiriae ku dhe nënshkroi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve si dhe 4 marrëveshje të tjera mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha dhe ai i Bosnjes Spiriae, shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat, ndërsa diskutuan dhe për inkurajimin e biznesit boshnjak që të investojë në Shqipëri.
Pas takimit dy kryeministrat mbajtën një konferencë për shtyp, ku vlerësuan si të shkëlqyera dhe miqësore marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha, deklaroi se dy vendet janë në procesin e integrimit euroatlantik duke shtuar se mbështet plotësisht integrimin e Bosnje- Hercegovinës në NATO. Duke iu referuar marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të qytetarëve ndërmjet dy vendeve, Kryeministri Berisha ftoi qytetarët e Bosnje- Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›