E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Dibër: Javën e parë, minimumi jetik prej 200 eurosh, rrogat dhe pensionet dyfish

Berisha në Dibër: Javën e parë, minimumi jetik prej 200 eurosh, rrogat dhe pensionet dyfish

Javën e parë do të vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, rrogat dhe pensionet do të dyfishohen, deklaroi sot kreu i PD, Sali Berisha gjatë një takimi me qytetarë të Dibrës.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS/
Ne, me programin tonë, me sugjerimet tuaja, me propozimet tuaja, zotohemi se Shqipërisë në emergjencë do t’i bëjmë terapinë emergjente.
Do t’i japim asaj të gjitha zgjidhjet për ta nxjerrë së pari nga emergjenca, nga vuajtjet, nga dhimbja, nga mospasja.
A është e mundur kjo? Plotësisht. 100 përqind.
Javën e parë do vendoset që çdo shqiptar do marrë 200 euro minimumin jetik, se do rritet edhe më shumë.
Po, nuk mund të jetë kurrë problem kafshata. Është krim. Është krim shtetëror që qytetarët e këtij vendi të kenë problem kafshatën e gojës.
Nuk mund të ketë kurrë problem për ilaçet. Është krim shtetëror që qytetarit në spital apo jashtë t’i mungojnë ilaçet.
U garantoj se kjo nuk mund të ndodhë më.
Një qëndrim për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve si kusht për ta nxjerrë Shqipërinë nga emergjenca.
Po ku do merren këto para?
Këto para të gjitha janë.
Edhe njëherë, nuk kam asnjë dëshirë të flas për të shkuarën, por po u them këtu, ne kemi pasur nivelet e taksave 50 përqind më të ulëta se ne besojmë se taksat e ulëta janë rruga më e drejtë për të rimëkëmbur shqiptarët.
Ky mburret dhe thotë se mbledh 8 miliardë. Jo, ne mblidhnim 3.8 gjer 4 miliardë, të tjerat ua linim, nuk ua merrnim.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne dyfishuam rrogat dhe pensionet.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne ndërtuam 11 mijë e 300 kilometra rrugë në mbarë vendin.
Me ato 3.8 deri 4 miliardë në vit ne ndërtuam mbi 1300 shkolla dhe objekte arsimore.
Ne sollëm Shqipërinë në moshën dixhitale.
Pse po i them këto? Edhe njëherë, janë të shkuara, janë në muzeum, por po i them këto për t’u garantuar se paratë janë dhe pa asnjë lloj vështirësie.
Ka një kusht, të mos vidhen në mënyrë të tmerrshme siç vidhen sot.
Ka një kusht, të mos ndahen brenda një grupi hajdutësh të pamëshirë, të pashpirt që urrejnë të varfrit, që urrejnë njerëzit.
Dhe këtu qëndrojmë. m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›