E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione dhe zjarre para Ministrisë së Arsimit, policia hyn në pallate

Studentët dhe qytetarët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku situata është përshkallëzuar me përplasje, ndezje zjarresh dhe hedhje sendesh në drejtim të godinës.

Protesta, e nisur në orën 14:00, ka vijuar për disa orë me tensione, ndërsa policia ka shoqëruar 23 persona në lidhje me incidentet e regjistruara. Gjatë përplasjeve raportohet se ka pasur edhe të lënduar, ndërsa gjashtë efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore.

Gjatë tubimit, fasada e Ministrisë së Arsimit është lyer me bojë të kuqe dhe është goditur me vezë. Protestuesit kanë hedhur gjithashtu sende të ndryshme, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës. Ndërkohë, disa prej tyre kanë shkulur edhe kangjellat përgjatë rrugës.

Pas nisjes së protestës dhe përshkallëzimit të situatës, policia ka shtuar numrin e efektivëve në terren.

“Ministria e krimit”, “Policia e krimit” dhe “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë tubimit.

Studentët dhe të rinjtë kanë dalë në protestë për të ngritur zërin kundër problematikave që, sipas tyre, prekin arsimin dhe jetën studentore. Mes shqetësimeve të ngritura janë kushtet e konvikteve, gjendja e fakulteteve dhe mungesa e reagimit institucional.

Deri më tani nuk dihet se sa do të zgjasë protesta, ndërsa situata para Ministrisë së Arsimit vijon të mbetet e tensionuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›