Berisha në Facebook: Rama thotë: Prit publik sa të piqen fiqtë!

Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një përgjigje në Facebook liderit të opozitës, Edi Rama lidhur me komentet e tij mbi pallatin në pajë bashkëshortes së tij, Linda Basha.
Berisha shkuan se Rama po përgjigjet me “transparencë” të madhe:
"Të dashur miq, zoti Rama thotë “PRIT PUBLIK SA TË PIQEN FIQTË”.
Dje publiku priste nga zoti Rama transparencë për atë që mediat e kanë quajtur “pallati në pajë”, një investim ky nga një pensionist dhe një i vetëpunesuar, me vlerë rreth 2 milonë euro, ndërtuar në kundërshtim me ligjin nga familja e zonjës Linda Basha, në lulishte, shesh midis pallateve, me dy leje ndërtimi që mbajnë firmën e z. Rama. Mirëpo pyetjes për “pallatin në pajë”, zoti Edi Rama iu përgjigj me “transparencë” të madhe! Ai tha se shpifësit meritojnë përçmim, ndërsa publiku ka të drejtë të sqarohet. Pyetjes se kur do ta sqaronte publikun, zoti Rama iu përgjigj thjesht: kur të dua unë. Gazetari nën zë i tha kolegut pranë tij se kjo është transparenca alla Rama: prit publik sa të piqen fiqtë dhe se, me siguri, radhën e ardhshme ky do na thotë se “pallati në pajë” nuk është problemi i Shqipërisë, pikërisht ashtu siç tha ai për Barjabën para një jave. Mirëpo, pallati edhe futet në pajë, por në thes jo - vazhdoi gazetari i zhgënjyer nga përgjigja e kryetarit të PS-së! - sb", përfundon kundërpërgjigja e kryeministrit Sali Berisha në Facebook./Indeksonline/