Berisha në Fier: Rama synon ta ekzekutojë politikisht opozitën!

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili udhëheq grupimin e Rithemelimit në PD, ka akuzuar kryeministrin socialist Edi Rama, se synon ta ekzekutojë politikisht opozitën, duke i hequr Parlamentit kontrollin ndaj qeverisë.
Gjatë një takimi me qytetarë në Fier, zoti Berisha tha se ndryshe nga Enver Hoxha që ekzekutoi fizikisht deputetët e opozitës në vitin 1946, Edi Rama synon ta ekzekutojë politikisht opozitën aktuale shqiptare.
“Çfarë ndodh në parlament, ju e shihni vetë. Pasi ka marrë votat, kemi mbetë 40, 50 deputetë opozitarë në parlament. Edhe këtyre, meqë ato vota nuk ua rrëmbeva dot, t’ua heq kompetencat kushtetuese për t’u përfaqësuar ju. Nuk ka ndodhur në botë kjo. Në vitin 1946, Enver Hoxha i ka pushkatuar deputetët e opozitës. Sot ai nuk i pushkaton dot. Po sot ajo që bën ai, është absolutisht ekzekutim politik i tyre” tha kreu i Rithemelimit. “Çfarë vlere kanë në parlament përfaqësuesit tuaj, nëse nuk zgjedhin kryetarin e grupit, por ua cakton ai? Çfarë vlere kemi ne në parlament nëse ne hartojmë ligje, amendamente, rezoluta dhe kryetarja i fut në sirtar? A nuk është ky asgjësim de facto i yni në parlament?” pyeti zoti Berisha.
“Ne, para alternativës të bojkotojmë parlamentin apo të qëndrojmë në një rezistencës pa kthim, kemi zgjedhur këtë të dytën dhe ne do e vazhdojmë betejën gjer në fitoren tonë” tha ai.
Zoti Berisha shkoi më tej duke e akuzuar PS për “…diktaturë bande, diktaturë mafie, forma më e keqe e diktaturave”, “një drejtësi, një repart special që sillet absolutisht si një organizatë kriminale e partisë shtet”.
Duke ju referuar arrestimeve të fundit lidhur me çështjen e inceneratorëve zoti Berisha tha se bëhet fjalë për një organizatë kriminale ku “kreu është Edi Rama dhë askush tjetër”.
/ rtsh.al /