Hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, Berisha: Amnistia e vjedhjes së shekullit

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) se po bën amnisti për autorët e vërtetë të aferës së inceneratorit të Tiranës. Në një konferencë për Mediat, Berisha tha se përgjegjësit e vërtetë, sipas tij, janë kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Ashtu siç kisha paralajmëruar në mënyrën më të përsëritur në këtë sallë, ndodhi amnistia e vjedhjes së shekullit, akti më kriminal në historinë e drejtësisë shqiptare. Dje, ose mbrëmë, Skapistët pas apoteozës dhe nxjerrjes së dhëmbëve njëkohësisht të Edi Ramës, shpallën amnistinë ndaj vjedhjes së shekullit nga Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, për aferën e cila shkon në total 1 miliard euro. Për aferën e djegësit të Tiranës që shkon në 30 vite, 1 miliard euro dhe që janë shpenzuar gjer sot rreth 130 milionë euro, pjesa dërrmuese të parave të taksapaguesve, kurse pjesa tjetër, para të biznesmenëve të detyruar nga Rama dhe Veliaj.
Këto nga Skapi dhe gjykata e partisë, u amnistuan. U amnistuan edhe njëherë them në aktin më kriminal. Ata që amnistuan dje me vendimin e tyre për të arrestuar dy drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Tusha dhe Simixhiu, ata kryen një krim të shëmtuar. Amnistia, në çdo kohë është atribut i parlamentit dhe jo kurrë i gjykatësve apo i prokurorisë. Ajo që ndodhi mbrëmë është akti më i pashembullt në tërë historinë që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot”, tha Berisha.
Ai shtoi se ditën e nesërme (10 dhjetor), Komisioni i Rithemelimit do t’i kthejë përgjigje SPAK, teksa e quan Prokurorinë e Posaçme (organ kriminal)
“E vërteta qëndron se SKAP-i do marrë një përgjigje nesër. Se ne nuk kishim reagimin e SKAP-it. Nesër do i japim një përgjigje të plotë këtij organi kriminal, që është shndërruar në një xhelat të së drejtës dhe ligjeve, në një mburojë kriminale të vjedhjeve më të mëdha në kurriz të shqiptarëve. Do i japim përgjigje pikë për pikë. Sipas gjykatëses dhe SKAP-it, fajin na e paskan tani këta ushtarët këtu poshtë që kanë propozuar 8 përqindëshin, në një kohë kur Edi Rama kishte shkresën e Felajt, që thoshte se nuk mund të jepet asnjë pikë sepse kompania nuk ekziston. Nëse kompania nuk ekziston, duhej të ishte vetëm në mendjen e Edi Ramës, se njeri në botë që mund të impononte kryeministrin të firmoste për një kompani që nuk ekziston, nuk ka”, tha Berisha.
/rtsh.al/