Berisha në Gramsh: Berisha: Do të rivendosim rrogën e 13-të
Kryeministri Sali Berisha premtoi sot rivendosjen e rrogës së 13-të për punonjësit e administratës.
Ndërsa prezantoi kandidatët e Partisë Demokratike në Gramsh, kryeministri Berisha premtoi gjithashtu një plan për punësim, për zhvillimin e infrastrukturës dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë.
“Politika jonë është mbrojtja e qytetarit. Ne do të përmirësojmë cilësinë e jetës së njerëzve. Ju premtoj të gjithë punonjësve të administratës shqiptare se në fund të këtij viti do të fillojë rroga e 13-të”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha ka premtuar sërish asfaltim të të gjitha rrugëve, trefishim të granteve për fermerët, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për në BE gjatë 4 viteve që vijnë.
“Ne kemi një plan konkret për punëismin dhe ai bazohet në vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës më moderne. Ne kemi rindërtuar në Gramsh dhjetra km rrugë në komuna, qytet dhe kudo. Zotimi im solem ëhstë se 4 vitet që vijnë në të gjitha anët e këtij rrethi do rindërtohet dhe asfaltohet çdo rrugë dhe do tju japin ju infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. 4 vitet që vijnë do të rindërohet cdo shkollë, çdo ujësjellës dhe do të trefishohen financimet pë fermerët. 4 vitet që vijnë Gramshi do të shndërrohet në epidendrën e punësimit pasi filluan punimet për Kaskadën e Devollit. Por përvec kaskadës janë 14 hece të tjera që do të ndërtohen. Ne e bazojmë punësimin në tërheqjen e madhe të investimeve të huaja, ne hoqëm taksën për çdo makineri. Kjo do të thotë që bizneset në Gramsh e Shqipëri do të zhvillohen shumë më tepër” tha Berisha.
Kreu i qeverisë ka vijuar sërish me akuzat ndaj opozitës duke theksuar se alternativa e saj është ajo e mashtrimit.
“Alternativa jonë është serioze dhe bazohet në ndihmën tonë ndaj jush, që ju me lirinë ekonomike, me biznese tuaja, me fermat tuaja të rrisni çdo ditë e më shumë mirëqënien tuaj. Alternativa jonë bazohet në rrugën tonë drejt BE-së si rruga për të ardhmen tonë më të mirë. Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është ajo e bllokimit, e mohimit, e shpifjeve dhe trillimit. Do t`ju bëj thirrje qytetarëve,demokratë e socialistë të kujtojë se cili ishte mesazhe që i dërgoi Edi Rama nga ky shesh kompanisë gjigante ku deklaroi se Berisha po u tregon përrallën e hidrocentralit. Qesharak bëhet ai që e quan përrallë këtë projekt tha Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri u kërkoi qytetarëve të Gramshit por edhe të gjithë Shqipërisë të votojnë në 23 qershor Partinë Demokratike.
“Në 23 qershor të votoni për punësimin tuaj, votoni për shndërrimin e burimeve ujore të Gramshit. Votoni për integrimin e Gramshit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Votoni nr 44, votoni PD-në, fitore tha Berisha.