Trichet: Vendet e zonës euro, të reduktojnë borxhet publike
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (BCE), Jean-Claude Trichet theksoi sot në një intervistë për shtypin gjerman se priste nga vendet e zonës euro që të bënin më shumë përpjekje për reduktimin e borxhit të tyre publik. "BCE pret nga qeveritë e zonës euro, që të ndërmarrin përpjekje më të mëdha për reduktimin e borxhit'', nënvizoi francezi, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”. "Disa vende duhet të gjejnë kontrollin për borxhin e tyre”, shtoi ai. "Ne nuk kemi krizë të euros, por ne kemi një krizë të financave publike në disa vende të zonës euro”, theksoi bankieri qendror. "Të gjitha qeveritë duhet të bëjnë përpjekje për rregullimin e financave të tyre", shtoi ai. Presidenti i BCE-së nuk resht së përsërituri, këto muajt e fundit, se një politikë buxhetore e shëndetshme do të ishte e rëndësishme për shëndetin e ekonomisë në zonën euro.