E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kosovë: Të bashkuar në BE, realizojmë ëndrrën e luftëtarëve të lirisë

13-10-2012 / Gazeta 55

Pritje madhështore për shefin e ekzekutivit shqiptar, në Gjakovë, Deçan e Isniq. Kryeministri Berisha nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit. Merr pjesë edhe në ceremonitë e përurimit të shtatores së Ali Ibër Nezajt në Gjakovë dhe Isa Boletinit në Deçan.
Deklaratat/“Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, se ideja e bashkimit kombëtar... për të ardhmen e vet evropiane”
Gjakova, kështjella e pamposhtur e shpirtit kombëtar

Vizitën e tij në Kosovë, në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha e nisi në Deçan, ku u ndal fillimisht për të nderuar dhe për të vendosur nga një buqetë me lule pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku, në qendër të Deçanit. Të pranishëm në këto homazhe ishin dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zoti Agim Çeku, si dhe familjarë të familjes Haradinaj.
Më pas, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha u drejtua për në Komunën e Deçanit, ku u prit nga Kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj, këshilltarë të komunës, si dhe qindra qytetarë të mbledhur në shesh  për ti uruar mirëseardhjen Kryeministrit Berisha.
Në një ceremoni të organizuar, në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit, kryeministri Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Deçanit, dorëzuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj i cili u shpreh se ky titull më shumë se simbolikë është mesazhi i përjetësisë dhe respektit, i lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Me emocion dhe mirënjohje, kryeministri Berisha u shpreh se meritën e këtij titulli, ia dedikon në radhë të parë të rënëve të Deçanit, Drenicës dhe mbarë Kosovës, pa sakrificën sublime të të cilëve, nuk do të ishte  e mundur që shqiptarët në të dy vendet të takoheshin lirisht mes tyre.
“I dashur zoti kryetar, këtë nderim që më bën, e konsideroj të jashtëzakonshëm, ndaj dhe unë së pari mirënjohjen më të madhe duhet t’ja u kushtoj të rënëve, heronjve të Deçanit, të Drenicës dhe mbarë Kosovës. Pa sakrificën e tyre sublime, unë kurrë nuk mund të isha sot këtu, kurrë nuk mund të takoheshim si dy shqiptarë të lirë, ndaj dhe atyre iu përket merita dhe mirënjohja më e madhe. Zoti kryetar, unë u jam shumë mirënjohës ju dhe Këshillit të Komunës së Deçanit që më ka nderuar sot me këtë titull, pasi kjo trevë, kjo zonë në historinë  e kombit ka qëndruar gjithnjë në krye të përpjekjeve të kombit shqiptar për liri dhe dinjitet. Këtu në këtë trevë janë mbledhur burrat e kombit për tu dhënë përgjigjen më të merituar ambicieve, qëndrimeve antishqiptare të fqinjëve dhe jo vetëm atyre. Këtu janë bërë zotimet e mëdha kombëtare, këtu dhe në tërësi në këto treva lindi dhe u zhvillua ideja e unitetit kombëtar, ideja e bashkimit kombëtar që ka frymëzuar dhe frymëzon shqiptarët në të gjitha kohërat. Zoti kryetar unë e marr këtë si një detyrim madhor që të bëjmë gjithçka së bashku me mikun tim kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e Kosovës, presidenten e Kosovës, autoritetet dhe ju, që nëpërmjet një bashkëpunimi intensiv të bëjmë që shqiptarët të mos ndjejnë që ka kufi midis tyre. Ky është një proces jetik, një proces i cili kërkon një përkushtim të madh dhe ne duhet të punojmë dhe do të punojmë çdo ditë me moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane”- u shpreh kryeministri Berisha. Ndërsa theksoi se, “nën këtë moto do të punojmë me përkushtim të madhe që ne shqiptarët kudo që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo të arrijmë të ndërtojmë atë të ardhme të ndritur për të cilën flijuan jetën, heronjtë e Deçanit, heronjtë e Kosovës, heronjtë e  kombit shqiptar në mbarë trevat shqiptare”.

Kryeministri Berisha viziton Kuvendin Komunal të Gjakovës, përuron edhe shtatoren e Ali Ibër Nezajt
 
Berisha: Gjakova, kështjella e pamposhtur e shpirtit kombëtar

Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku u prit nga kryetari i saj Pal Lekaj dhe anëtarët e tij. Në këtë vizitë, ishte e pranishme edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga. Kryeministri Berisha i shprehu Kuvendit Komunal të Gjakovës falënderimin për ftesën për të marrë pjesë në nderimin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezaj, shtatorja e të cilit, vendoset sot, në qendër të Gjakovës. Kryeministri Berisha iu drejtua Kuvendit Komunal me një fjalë, në të cilën vlerësoi lart veprën e një prej komandantëve legjendarë të kombit shqiptar, në përpjekjet e tij për liri e dinjitet, Ali Ibër Nezaj.
“Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit ka mesazhin e përjetshëm të bashkimit të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet. Ky mesazh ishte dhe është frymëzues për shqiptarët dhe është një detyrim madhor i çdo shqiptari që të punojë në frymën e këtij mesazhi të madh, sepse kjo është rruga e përjetësisë së kombit, kjo është rruga e zhvillimit të kombit”, u shpreh Berisha. Kryeministri shqiptar theksoi se me frymën e unitetit, kombi ynë ecën drejt qëllimit madhor, integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ne sot jemi të lirë dhe po në këtë frymëzim, ne ecim të bashkuar drejt një qëllimi të madh, integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Sikundër, siç është provuar në mënyrën më të përsëritur, në çdo rrethanë, ne jemi një dhe do të mbetemi një komb. Ne kemi pësuar gjatë historisë, padrejtësi ndër më të mëdhatë. Atëherë, kur ishim kombi më i madh i Ballkanit, u vërsulën mbi ne barbarisht, por, ne prapë sot jemi të lirë e të vendosur të qëndrojmë të lirë në trojet tona, të vendosur të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë, në të gjitha vlerat e mëdha të kombit e të Europës”, tha ai. 

Berisha viziton memorialin kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan, si dhe familjen Haradinaj

Mesazhi i të rënëve për lirinë e shqiptarëve, unitet kombëtar dhe integrim në Bashkimin Evropian
 
Gjatë vizitës në Deçan, kryeministri Sali Berisha bëri homazhe pranë memorialit kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan, duke nderuar kujtimin e luftëtarëve të rënë në këtë luftë. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, Kryeministri vendosi një kurorë me lule pranë memorialit dhe u përul me nderim para veprës dhe trimërisë së djemve të Gllogjanit që dhanë jetën për liri e dinjitet kombëtar. Gjithashtu, Kryeministri bëri një vizite në familjen Haradinaj, ku u prit nga i ati i Ramush Haradinajt, Ilmi Haradinaj dhe familjarë të tjerë. Në këtë vizitë, ishin të pranishëm edhe Agim Çeku, aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve të UÇK-së.
Pas homazheve në memorialin kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan, Kryeministri Berisha u shpreh se ndihej shumë i nderuar që ndodhej sot në këtë vizitë, por edhe për faktin që do të takonte të zotin e familjes Haradinaj.
Gjatë kësaj vizite në familjen Haradinaj, Kryeministri Berisha i shprehu Ilmi Haradinajt mirënjohjen dhe nderimin më të madh të të gjithë shqiptarëve kudo, për veprën e familjes Haradinaj, djemve të tij, por edhe për gjithë heronjtë e Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›