Në vend të një mikroskene - Replikë në Parlament
Pandeliu: - Qeveria duhet të bisedojë me atë shtresë që e ka mbajtur në supe këtë qeveri dhe e ka sjellë në pushtet (Pse e ha në besë shefin E. Rama? Në pushtet e ka sjellë vota “e vjedhur”!). Qeveria u çon ministrin e Shëndetësisë e u thotë “do të shëroheni”. (Sigurisht, “e çon” meqë ai nuk vete dot vetë ! Po si dëshironi t’u zhotë ministri, z. Majko: - “do të vdisni?!). Bën edhe konferencë shtypi dhe u thotë: “Edhe kaq sa keni marrë, shumë keni marrë!” (Së pari, gënjeni. Citojeni, me emër! Dhe pa ia shformuar frazën. Së dyti nuk ka gënjyer si ju, në qoftë se do të shtonte: - ... shumë keni marrë, në krahasim nga ç’kanë marrë nga ju!”). Deklarimi i kryeministrit se është grevë politike është përrallë (I zoti e jep, tellalli s’e jep!). Ata mund të bëjnë gjithçka për politikë (po ajo përralla, u pëgënjeshtrua nga ju vetë!) , por të digjen për PS-në nuk bën vaki (digjen edhe për Enverin, se i kishte bërë për çmendinë, me torturat e burgut komunist).
Topalli: - E kishit fjalënm për procedurë. Po dilni jashtë temës. Do të duhej të flisnit për rëndësinë e një dite të tillë, kur vendit i është rekomanduar Statusi. Gjatë 8 viteve që ishit në qeveri, përsese nuk u dhatë asnjë mundësi atyre, bursë, të drejtë studimi, asnjë lek ? Nuk po flas për partinë, nënën tuaj, që i burgosi, i pushkatoi, i masakroi. Një parti që nuk u dha asnjë mundësi, duhet të turpërohet sot; ose, së paku, ju, - bijtë e saj, - duhet t’u kërkoni të falur atyre.
M. – Unë nuk jam i detyruar të flas siç do të dëshironte “Lokja e Parlamentit”.
T (E revoltuar për ironinë me fjalë shkodrane): - Duhet t’ju vijë turp, zotëri, nëse qenien time nga Shkodra e përcaktoni ashtu. Mbajeni gojën, ju dhe të gjithë të tjerët. Jam nga Shkodra, nga Veriu. Dhe jam krenare për këtë. Nuk ka të sosur urrejtja juaj, duke na folur me hipokrizi për ata , të cilëve duhej t’u kërkonit të falur psr krimet në kurriz të tyre, që s’u dhatë as mundësinë më të vogël për t’u rimëkëmbur, ndërsa nuk gjeni dot fjalë për statusin. o z. ish-kryeministër. Nuk u thua shqiptarëve as se jemi në një ditë të bukur!
M. Falja është shumë më tepër se e thëna e dy shprehjeve (të mia për ta). Ata që sot po djegin veten meritojnë më shumë. Unë kam qenë kryeministër dhe nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe. Çdo qytetar e di se në ç’kushte kam qeverisur unë; nuk ka qenë vendi aq i qetë sa sot dhe ka pasur luftë ndryshe nga paqja, këtë e dinë mendjet e ftohta (Me këtë shpjegim nuk paske bërë “ndonjë gjë të madhe?); ajo që dola unë të them është e thjeshtë, uluni negocioni, mos u çoni ministrin e Shëndetësisë (prapë me telekomandimet?), është kërkesë për negociatë, nuk është grevë politike dhe e PS-së, por e një shtrese që ju ka mbajtur mbi supe. Sot vendi qeveriset nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. (Ende nuk e dini se ku janë mbledhur mëkatarët?). Ajo që është e rëndësishme është të fillojë negociata mes qeverisë dhe atyre që janë në kushtet më të vështira psikologjike. (Kush i ka shfiguruar ata të shkretët? Burgu dhe tetëvjeçari! Përse s’bëtë gjë kur ishit kryeministër? Ajo Lufta dhe Paqja e Tolstoit s’e ka vendin te “shpjegimi” juaj!). Një i përndjekur nuk i vë flakën vetes për interesat e një krahu; nuk kemi folur në emër të tyre, (S’ka gjë që s’bën dot Partia. – ka thëënë sh. Enver! Ajo ka bërë që edhe para plotonit të ekzekutimit, të thonë Rroftë sh. Enver! –nga Arkivat). Sot jam ngritur edhe duke diskutuar me kolegët jo për të folur në emër të tyre, (Edhe kjo na duhej! Por e thamë:: Çdo gjë e mundshme...), por kërkoj të negocioni (varfëri fjalësh. Katër herë të negoçiojnë!) , me shtresën që ju ka mbajtur mbi supe (refren edhe me supet!) e ju ka sjellë në pushtet , shkoni dhe komunikoni me ata njerëz, mos i lini të digjen (Në trajtën urdhërore. Helbeté. Ish-kryeministër!).
Fundi i replikave.
Shënim; Dialogët janë marrë fjalë për fjalë, nga një e përditshme. Komentet në kllapa: të miat. Të tri pikët e debatit i mori zonja Jozefina.