Berisha në Kukës: Të hënën mbledhim Parlamentin për të votuar 3 ligjet
Të hënën do të mblidhet Parlamenti për të votuar 3 ligjet e kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kështu është shprehur kryeministri Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-së në qarkun e Kukësit.
Ai ka akuzuar kreun e PS-së dhe opozitën për bllokimin e vazhdueshëm të votimit të ligjeve dhe integrimit të vendit në BE ndërsa ka kërkuar që të votohet edhe ligji për amnistinë.
“I bëj thirrje të votojë amnistinë fiskale nga 2011 deri më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri, ti që Koços i jepje 80 përqind të tenderave të bashkisë, ti që i llogarisje Kristaqit bulevarde për sheshe ndërtimi. Ti refuzove amnistinë fiskale të qeverisë. I bëj thirrje që së bashku me tre ligjet të votojmë amnistinë që nuk e votove dhe të marrësh në 23 qershor fundin që meriton është shprehur Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha u ka kërkuar sot qytetarëve të votojnë numrin 44 të fletës së votimit ku renditet Partia Demokratike për të vijuar reformat dhe ndryshimin e Shqipërisë.
“Po shkojmë më 23 qershor pasi me punën tuaj, djersën tuaj, kemi ndryshuar Kukësin dhe Shqipërinë. Sot Kukësi dhe Shqipëria janë anëtare e NATO-s. Sot Kukësi me Tiranën lidhen me një nga autostradat më të bukura të rajonit dhe më gjerë. Sot Kukësi ka të ndërtuara dhe të rindërtuara qindra dhe qindra km rrugë, qendra shëndetësore, ujësjellësa, kanalizime. Ne shkojmë drejt 23 qershorit për të votuar numrin 44, numrin e artë, Partinë Demokratike pasi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë kemi dyfishuar bizneset. Në këtë qark kemi krijuar ferma të reja, kemi subvensionuar mbi 600 ha drurë frutore. Kukësi ka sot universitetin e tij” tha Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë ka sulmuar sërish kryesocialistin Edi Rama dhe alternativën e PS-së duke theksuar se ajo është alternativa e poshtërimit të shqiptarëve.
“Alternativa tjetër është alternativa e akuzave, poshtërimit të shqiptarëve. Njeriu që pak vite më parë do të shkruante për vendin e tij me fjalë më të ndyra. Le ti themi këtij shoku se natyrisht për ty e bukur ishte Shqipëria e etërve të tu ndërsa për shqiptarët është e bukura e dheut, është Amerika e tyre, është parajsa e tyre tokësore. Shqipëria për ty është sot e shëmtuar por jo për shqiptarët. Për shqiptarët ajo pavarësisht se është dekada larg Amerikës ajo është Amerika e tyre” tha Berisha.