Meta:Berisha të reflektojë për KQZ-në. Të votohen 3 ligjet e integrimit
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka kërkuar sërish angazhimin e mazhorancës për të votuar 3 ligjet e integrimit në Parlament.
Në një konferencë për mediat, Meta kërkoi nga mazhoranca të reflektojë sa I përket riformatimit të KQZ-së
“Është koha që kryeministri aktual Zoti Berisha për të treguar të njëjtën gadishmëri dhe qartësi pa ekuvok që ne në ditët që vijmë të votojmë 3 ligjet.T`i japim mesazhin e përgjegjshmërisë qytetarëve tanë duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit që kanë nevojë reformat e integrimit europian por edhe të modernizimit të shtetit tonë. Vendet vakante në KQZ nuk janë vende punë. Çështja kryesore ka të bëjë me integritetin e KQZ-së që është cënuar në mënyrë të padrejtë nga mazhoranca aktuale, dhe çëshjta nuk është që të çohen 3 vende por të vendoset konsensusi dhe besimi te KQZ-ja. Prandaj i takon mazhorancës të tregojë reflektim dhe përgjegjshmëri në këtë drejtim ndërkohë që opozita ka shprehur bindjen e plotë në administrimin e këtij procesi duke menduar në instrumenta shtesë në kontest me mangësitë që ka treguar KQZ-ja pas dëmtimit të rëndë që ai mori në pavarësinë edhe integritetin pas largimit të dhunshëm të një anëtari” tha Meta.
Sipas Metës anagazhimet shtesë do të japin garanci që vota do të numërohet dhe do të jepet në mënyrë më demokratike dhe më të sigurt.
I pyetur nëse LSI-ja do të zhvillojë një fushatë të përbashkët me PS-në apo të ndarë, Meta u përgjigj: Jemi 37 parti në koalicion dhe nëse do dalim së bashku nuk është efikase. Por ne do të kemi qëllim të përbashkët për maksimalizim e objetivave të opozitës prandaj do na shihni në funksion të objektivit të përbashkët, të arritjes së një fitoreje plebishitare.