E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kuvajt, nënshkruhen marrëveshje ekonomike

Kryeministri Sali Berisha mbërriti dje për një vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah. Në këtë vizitë zyrtare Kryeministri Berisha shoqërohet nga ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, z. Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar. Kryeministri Berisha gjatë kësaj vizite do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Lartësia e Tij, Kryeministri i Kuvajtit, Sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim i cili do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve. Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, Lartësinë e Tij Sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi. Një pjesë e gjerë e axhendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj. Kështu Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulwahab Al-Bader, drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›