Berisha në Lezhë: PS-në do e lëmë edhe 12 vjet në opozitë
Kryeministri Sali Berisha, teksa ka qenë në Lezhë për një inagurim, ka thënë se me votat e lezhjanëve, PS do mbetet edhe për 12 vjet në opozitë.
Po shkojmë drejt 23 qershorit. Qytetarët e Lezhës e kanë provën e madhe. Shqiptarët kudo që janë presin nga ju mandatin e artë, mandatin e pestë. A ju kujtohet ju kur me Pal Dajçin para 10 vjetësh na u desh tu themi atyre se me djemtë e Mamurrasit, ne edhe jua japim duart, por ne jemi demokratë dhe ne besojmë tek vota, besojmë tek paqja. Se na kërcënonin, na bënin prita këtej e andej, por nuk kanë vlerë, i harrojmë të gjitha. Me votën tuaj ti lemë në opozitë të paktën edhe 12 vjet të tjera, ka thënë Berisha, ndërsa ka inaguruar rrugën Shën Koll-Tale-Hidrovor.
Berisha ka premtuar ndërtimin e rrugëve të tjera, ndërsa ka numëruar se çfarë ka bërë qeveria e tij gjatë këtyre viteve.
Unë jam këtu për tu zotuar se në Lezhë 4 vitet që vijnë, do të ndërtojmë çdo km rrugë. Ne kemi ndërtuar 10 mijë km rrugë dhe do nxjerrim listën km për km, për të faktuar ata që i mohojnë. Kemi ndërtuar shumë e shumë të tjera. Unë jam i vetëdijshëm se kemi prapë shumë punë për të bërë, kemi infrastrukturë të rëndësishme për të ndërtuar. Është e domosdoshme të ndërtojmë autostradën Shkodër-Milot, të ndërtojmë rrugë në 4 anët e këtij qarku.
Ne kemi zgjedhur moton tonë përpara, sepse ne duam të ecim me shpejtësi drej infrastrukturës rrugore, drej mirëqënies më të madhe, drejt integrimit më të shpejtë. Por, në memorien tonë janë të freskëta orët e zgjatura pa energji, situata e furnizimit me ujë të pijshëm, kur pensionistët merrnin 3400 lekë pension, kur rrugët ishin të shkatërruara dhe nuk kalohej nëpër to. Sot unë shëtis, vizitoj zonat rurale ku fermerët kërkojnë furnizimin me energji, pasi fermat e tyre po shndërrohen në biznese. Unë ju garantoj ju se ne do të investojmë që fshati më i largët të marrë enegjinë si në lagjet e qytetit tha Berisha./b.l