E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha në Librazhd: Zotohemi për minimum jetik dhe ulje të çmimeve në 100 ditët e para

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një tubimi elektoral në Librazhd, deklaroi se Partia Popullore Europiane (PPE) ka miratuar një rezolutë në mbështetje të opozitës shqiptare dhe qytetarëve që kërkojnë zgjedhje të lira, duke denoncuar qeverinë e Edi Ramës si “armik të egër të votës së lirë”.

“Dje, në Kongresin e PPE-së, partia më e madhe e qendrës së djathtë në Europë, me 14 kryeministra në pushtet, me Komisionin dhe Parlamentin Europian, u miratua një rezolutë që mbështet fitoren tonë dhe denoncon regjimin e Ramës,” u shpreh Berisha para qytetarëve të Librazhdit.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha prezantoi disa nga zotimet kryesore të PD-së për 100 ditët e para të qeverisjes nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai premtoi rritje të pensioneve minimale në 200 euro, vendosjen e minimumit jetik për shtresat në nevojë, ulje të çmimeve të naftës me 40%, si dhe lehtësime të ndjeshme fiskale për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Çdo qytetar me të ardhura të ulëta do të pajiset me kartë konsumatori që do t’i mundësojë blerje ushqimesh dhe produktesh bazë me 20% ulje. Ndërsa biznesi i vogël do të përfitojë tarifa më të ulëta për energjinë dhe ujin, si dhe tatime më të lehta,” tha Berisha, duke shtuar se TVSH-ja do ulet në 15% dhe do rikthehet taksa e sheshtë prej 10% për të gjitha bizneset.

Ai përmbylli fjalimin me premtimin se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të nxjerrë shqiptarët nga varfëria e skajshme dhe do të rikthejë ekonominë në binarë zhvillimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›