E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një ditë në fushatë, flasin Dashamir Shehi dhe Endri Shabani

Në datën 11 maj, shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur deputetët e Kuvendit të ri të Shqipërisë.

Sistemi zgjedhor shqiptar është një sistem proporcional kombëtar me korrektim rajonal, çka do të thotë se deputetët, për 12 qarqet e vendit, do të zgjidhen në bazë të përpjesëtimit me numrin e banorëve.

Beteja më e fortë është në Tiranë, për shkak të numrit të madh të banorëve dhe numrit të kandidatëve për deputetë që garojnë, më shumë se 400.

Dashamir Shehi, i cili mban numrin 9 në fletën e votimit, në emër të Koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, shpjegoi për RTSH pse duhet ta votojnë banorët e Tiranës më 11 maj.

“Qytetarët e Tiranës kanë qenë pjesa më e emancipuar. Po deshën që të ndryshohet ndonjë gjë realisht do të votojnë ndryshe, do të votojnë numrin 9. Le të votojnë edhe të tjerët. Ka ardhur dita që po çahet ky bipolarizmi. Duhet ta mendojnë mirë. Po votuan të njëjtët njerëz do të ndodhin të njëjtat gjëra. Është e njëjta histori. Votoni ndryshe që të keni politikë ndryshe. Gjithë partitë e reja të vogla do hyjnë, sidomos në Tiranë. Këtu do të bëhen 20 për qind e votës alternative. Janë edhe votat e emigrantëve. Ky është ndryshimi real për Shqipërinë. Pjesa tjetër, vetëm ai që s’di të lexojë s’e kupton,” tha z. Shehi.

Ai tregoi edhe pikën më të fortë të programit të vet.

“Drejtësi ndryshe, e barabartë për të gjithë. Një ekonomi ku të ketë punë për të gjithë, jo vetëm për këta milionerët që janë këtu rrotull. Ky është ndryshimi ynë. Është i thjeshtë dhe është i bëshëm,” theksoi kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.

Tirana është “hambar” për partitë e reja, që synojnë të hyjnë në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë në shtator, kur institucioni të konstituohet.

Një prej këtyre partive të reja është Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Endri Shabani, kandidat për deputet më 11 maj, ka shansin të mbledhë vota nga banorët e kryeqytetit nëse do t’i bindë ata ta votojnë.

“Tirana është qyteti ku kanë jetuar prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit e mi, kështu që unë jam i lidhur me këtë qytet dhe dua ta transformoj këtë qytet.

Së pari, po shkojmë në parlament, sepse duam të transformojmë Shqipërinë. Unë dua që të krijoj shanse të barabarta për brezin tim, të krijojmë meritokraci, që shtresa e mesme ta shohë të ardhmen e tyre këtu, që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre pranë familjes së vet. Kjo gjë nuk mund të ndodhë nëse nuk shthurim rrjetën e merimangës që fillon te parlamenti,” u shpreh z. Shabani.

Ai u shpreh se ditët e fundit të kësaj fushate zgjedhore janë vendimtare, teksa iu drejtua më vonë një takimi elektoral në kryeqytet.

“Kjo nuk është sfidë e partive të reja. Kjo është sfidë e shoqërisë shqiptare, e cila unë mendoj se e ka vendosur që njëherë e mirë t’i japë fund tranzicionit dhe t’i japë një shans të rinjve. Jam i bindur që një pjesë shumë e madhe e qytetarëve kanë vendosur të votojnë për të rinjtë dhe unë shpresoj që ata do të votojnë për koalicionin më të madh të të rinjve, që është Nisma Shqipëria Bëhet,” tha bashkëthemeluesi i Nismës, z. Shabani.

Oferta elektorale e partive politike është e gjerë, por ata që do të vendosin janë shqiptarët në datën 11 maj.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›