Berisha në Londër, merr pjesë në funeralin e Thatcher
Kryeministri Berisha ndodhet sot në Londër ku do të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës për nder të ish kryeministres Margaret Thatcher, ceremoni kjo që do të mbahet në Katedralen St. Paul, do të ndiqet nga personalitete të larta botërorë.
Kryeministri Berisha e ka konsideruar ndarjen nga jeta të ish kryeministres Thatcher si një humbje të madhe e një prej personaliteteve më të shquara politike të Britanisë së Madhe dhe botës perëndimore, ndërsa e quajti një mike të shquar dhe të vërtetë të shqiptarëve, e cila mbështeti me vendosmëri çështjen e tyre.
Mbretëresha Elizabeth dhe personalitete nga e gjithë bota, do të marrin pjesë sot në varrimin e Margaret Thatcher, ish-kryeministres britanike në vitet 1979-1990, e njohur ndryshe edhe si Zonja e Hekurt.
Arkivoli i saj pritet të përcillet me nderime të larta ushtarake, nëpërmes rrugëve të Londrës deri në katedralën e Shën Palit.
Ish-kryeministrja e parë dhe e vetme femër në qeverinë britanike, Margaret Thatcher vdiq më 8 prill, në moshën 87 vjeçare.
Më shumë se 2 mijë persona pritet të ndjekin ceremoninë mortore, përfshirë këtu edhe tre ish-sekretar amerikan të shtetit Henry Kissinger, George Schutz dhe James Baker.
Ekspertë e historianë vazhdojnë të diskutojnë trashëgiminë e saj, veçanërisht në arenën ndërkombëtare. Një pjesë e tyre mendojnë se Thatcher do të mbahet mend më shumë për politikat e ashpra ekonomike të tregut të lirë që zbatoi gjatë pushtetit 11-vjeçar nga viti 1979 deri më 1990-tën, për të cilat mund të thuhet se hodhën themelet e një revolucioni ekonomik në Britani.
Por Zonja e Hekurt luajti një rol të rëndësishëm edhe në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në një kohë e tensioneve të luftës së ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
Thatcher ishte udhëheqësja e parë perëndimore që arriti në përfundimin se Mihail Gorbaçov mund të ishte një tip tjetër politikani sovjetik. Pavarësisht zërave kundër, ajo vazhdon të konsiderohet një lidere e madhe e shekullit të 20-të, ndërsa gazeta Financial Times e përshkruan si figurën me të cilën duhet të krahasohen udhëheqësit e ardhshëm britanikë.