E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ në krizë, jep dorëheqjen nënkryetari, Denar Biba

Ndryshimet në KQZ nuk janë mbyllur vetëm me shkarkimin e Ilirjan Muhos si anëtar i KQZ. Një ditë pas këtij akti, është përfaqësuesi i PS dhe nënkryetari i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, Denar Biba, qe i ka paraqitur dorëheqjen, kryetares, Lefterije Lleshi.

Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.- shkruan Biba ne letren e tij te doreheqjes.

Sipas Bibës, shkarkimi i djeshëm nga Parlamenti i anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, ishte një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës.

Populli shqiptar meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj sipas tij, askush nuk mund të tallet duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!- thekson Biba.

Dorëheqja e Bibës është konfirmuar edhe nga KQZ, nga ku bëhet me dije se po verifikohen motivet e kërkesës për dorëheqje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›