Reforma, ikin krerët e PS-së që humbën bashkitë dhe komunat
Të gjithë krerët socialistë të organizatave dhe të njësive vendore në të gjithë vendin, që në zgjedhjet vendore kanë marrë një rezultat negativ me zgjedhjet pararendëse, do të përjashtohen nga mundësia e rizgjedhjes së tyre. Prej 1 shtatorit, Partia Socialiste ka nisur procesin e zgjedhjeve në parti, ku radhën të parët e kanë krerët e organizatave dhe duke filluar që nga 10 tetori do vijohet me kryetarët e komuna dhe bashkive. Por falë edhe procesit të analizës që u krye gjatë muajve korrik dhe gusht, të gjithë ata drejtues organizatash si struktura më e vogël organizative dhe për të vijuar më pas me krerët e partisë në njësitë vendore, që në zgjedhjet e fundit lokale nuk mundën të përmirësojnë rezultatin, qoftë për kandidatë qoftë për këshillat, nuk do të lejohen më të konkurrojnë. Ndërkohë që një furtunë e vërtetë pritet të përfshijë dhe degët e Partisë Socialiste në 11 njësitë minibashkiake të Tiranës, ku deri në Kongres, bashkë me kreun e ri të PS-së së qytetit, janë parashikuar të zëvendësohen të gjithë drejtuesit aktual dhe kjo për shkak të rezultatit zhgënjyes që arriti opozita jo vetëm në garën për bashkitë e vogla, por edhe për bashkinë e madhe.
Zgjedhjet
PS-ja prej gati dy javësh është futur realisht në procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti, që pritet të finalizohet me Kongresin e 5 nëntorit. Të parat që janë përfshirë në proces zgjedhjesh janë pikërisht organizatat e partisë, si bërthama më e vogël e strukturës organizative të PS-së. Në zbatim të statutit, por edhe të udhëzimit të Asamblesë Kombëtare, procesi i zgjedhjeve në organizata po i përmbahet plotësisht detyrimit për të mos përfshirë në proces rizgjedhje ata drejtues organizatash që në zgjedhjet e fundit vendore dolën humbës sipas çdo qëndre votimi që ata mbulonin. I njëjti parim është vendosur të ndiqet edhe për drejtuesit më të lartë të partisë, ata në bazë komune dhe bashkie, proces që sipas programit pritet të nisë që nga 11 tetori dhe për t’u mbyllur në fund të atij muaji. Përsa i përket këtij grupi, rinovimet do të jenë të mëdha, kryesisht në njësitë rurale, pasi i madh është dhe numri i komunave të humbura nga socialistët në këto zgjedhje. Bëhet fjalë për afërsisht 190 të tilla në të gjithë vendin. Por ndërsa në këto raste do të veprohet në bazë të kriterit të rezultatit direkt, në Bashkinë e Tiranës pritet të ndërhyhet në mënyrë të veçantë, por më radikale. Burime nga selia rozë kanë bërë të ditur se drejtuesit e PS-së, për shkak të rezultatit jo të pritshëm të arritur më 8 Maj, po mendojnë që të reformojnë të gjitha degët e njësive minibashkiake.
Statuti dhe programi
Por paralelisht me procesin e zgjedhjeve, socialistët janë përfshirë edhe në reformën statutore dhe atë programore të partisë. Burime nga PS kanë bërë të ditur se prej thuajse një muaji grupet e punës të ngritura për të hartuar ndryshimet në Statutin e Partisë dhe në Programin Politik kanë zbritur në bazë, ku po konsultojnë punën e bërë deri më tani në qendër, por edhe për të thithur mendimin e bazës për propozime shtesë. Siç konfirmohet nga këto burime, menjëherë pas fazës së konsultimeve në bazë, grupet e punës do të mblidhen për të seleksionuar propozimet e ardhura për çdo çështje dhe më pas do përgatisin draftet përkatëse. Para se këto t’i kalojnë Kongresit për miratim, do të kalojnë për shqyrtim edhe në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, e cila është parashikuar të mblidhet diku nga 20 tetori.