E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha rrëfen takimin "kokë më kokë" me Kuzhenë

 

Trajnerit Josip Kuzhe nuk i ka shkuar huq "ekskursioni" në Gjermani. Kroati i pankinës kuqezi, të shtunën për 35 minuta ka parë nga afër sulmuesin e Arminia Bielefeldit, Besart Berisha, por jo Edmond Kapllanin e Augsburgut, që nuk u aktivizua. Dyshja sulmuese e Kombëtares nuk ishte thirrur për miqësoren ndaj Qipros dhe kjo ishte një ndër arsyet e udhëtimit të Kuzhesë, për të parë nga afër lojtarët në Bundesliga 1 dhe 2 të Gjermanisë. Të shtunën, pas ndeshjes, Kuzhe ka takuar Berishën, të cilit i ka sqaruar mungesën ndaj Qipros. "Më tha se ndaj Qipros kishte dashur të shihte lojtarët e rinj, të cilët nuk kishte pasur rastin t'i shikonte më parë, e për këtë arsye nuk më kishte ftuar. Pastaj biseduam edhe për të ardhmen e Kombëtares, ku më tregoi qëllimet e tij me skuadrën kuqezi", - bëri të ditur sulmuesi 24-vjeçar për gazetën kosovare "Sport". Për ato minuta që u aktivizua në pjesën e dytë për Arminian, Berisha ka treguar se trajneri i Shqipërisë mbeti i kënaqur me lojën e tij. Para kësaj ndeshjeje, biondi ëndërronte një gol, që do t'ia kushtonte kroatit. "Pas ndeshjes jemi takuar dhe më vjen keq që nuk munda të shënoj një gol. Sidoqoftë, luajta 35 minuta dhe bëra një ndeshje të mirë, pavarësisht se humba një rast për të shënuar. Kuzhe u bind se jam 100% i gatshëm për Kombëtaren. Loja e zhvilluar i kishte pëlqyer edhe trajnerit", - shtoi ish-sulmuesi i Hamburgut, Bërnlit, Rosenborgut dhe Horsensit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›