E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Pogradec: Integrimi është e ardhmja, jo mafia

Ky investim modern dhe bashkëkohor kap vlerën e 13 milionë lekëve. Gjatë fjalës së tij, Berisha garantoi se investime të tjera edhe më të fuqishme do të bëhen realitet në këtë fshat dhe fshatra të tjerë të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, në vitet që vijnë.

"Ne inaugurojmë shkollën “Demokracia” në Stropckë në prag të 8 dhjetorit, ditës së bardhë, ditës së madhe, ditë e cila çeli për ne shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit, ditë e cila çeli për çdo shqiptar dyert  mbyllura të Evropës dhe Perëndimit. 8 dhjetori çeli për ne të gjithë së bashku dyert e mbyllura të besimeve fetare, 8 dhjetori  solli besimet, solli Muhametin, solli Krishtin, solli besimin e një shoqërie të bazuar mbi vlera", theksoi Berisha.

Kryeministri tha se "Në përpjekjen tonë pas 18 viteve ia dolëm të mblidhemi në këtë shesh si vend anëtar i NATO-s, dhe kjo përbën arritjen më të madhe për sigurinë e këtij vendi dhe të këtij kombi në të gjitha kohërat. Ne do  të festojmë 8 dhjetorin si një vend që ka zhvilluar zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe kjo është arritje historike. Ne që shembën murin e Berlinit, diktaturën më të egër në Evropë, iu rikthyem shqiptarëve votën, institucionin  e lirisë të saj, si zemrën e demokracisë shqiptare".

"Pikërisht në këto kohëra integrimesh të mëdha dalin zëra të cilët thërrasin se nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtarët, do të qeverisim vetë. E vërteta është krejtësisht e kundërta. Ne na duhen të huajt dhe na duhen shumë. Vetëm në Greqi kemi 1 milion shqiptarë dhe nuk kanë shkuar për turizëm, por kanë shkuar për të garantuar jetën e tyre dhe për të ndihmuar familjet  e tyre në Shqipëri. Mbi 1 milion të tjerë janë në vende të tjera. Të mendosh ne nuk na duhen të huajt sigurisht po të mos kesh familje dhe po të kesh kompleksin, frikën dhe tmerrin e familjes këtë deklaratë e bën lehtësisht, por po t'i besosh familjes dhe vlerave të saj, një  deklaratë të tillë nuk mund të bësh kurrë sepse janë qindra dhe mijëra familje shqiptare që mezi presin heqjen e vizave për të përqafuar dhe çmallur sa herë të duan me të afërmit dhe të dashurit e zemrës së tyre, në Greqi Itali, Gjermani dhe  kudo që ata ndodhen. Të deklarosh në këto kohëra se nuk na duhen ndërkombëtarët nuk bën gjë tjetër veçse, vetëm deklaron të kundërtën e asaj që kërkojnë  95 % e shqiptarëve, të cilët e deklarojnë integrimin e vendit në Evropë si ëndrrën e tyre më të bukur", tha Kryeministri Berisha.

 "Ne shqiptarëve na duhen të huajt, na duhet BE, ne do të bëjmë çdo përpjekje për t'u integruar. Jemi banorët më të vjetër të këtij kontinenti, dhe do vendosemi me mundin, djersën dhe dinjitetin tonë në zemër të tij, aty ku kemi lindur. Shprehja “nuk na duhen të huajt”  nuk është motoja apo lajtmotivi i ndonjë shqiptari të vërtetë, “Nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtarët” është motoja e aleancës punisto –mafioze, e cila nuk ka asnjë interes familjar, shoqëror, asnjë interes qytetar, përveç se pasurimit marramendës kriminal të saj. Integrimi është e ardhmja, mafia është e shkuara, ne do të ecim të sigurt drejt Evropës", theksoi duke perfunduar Kryeministri Berisha.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›