E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Topi, bashkë për Pavarësinë dhe Çlirimin



Shqipëria e pavarur, homazhe tek “Dëshmorët e Kombit”

Berisha: Flamuri i Skënderbeut, sot më krenar se kurrë

Të tre bashkë dhe njëri pas tjetrit, sipas hierarkisë së shtetit. Shpallja e Pavarësisë dhe Çlirimi i Shqipërisë u festuan dje në të njëjtën ditë nga krerët më të lartë të shtetit, duke nisur që në orët e para me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe më pas vizitat tek të rënët e luftës. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli uruan dje shqiptarët për festën e Pavarësisë dhe në 65-vjetorin e Çlirimit të vendit, që të tre bën homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetarja e Kuvendit dhe disa prej ministrave të kabinetit “Berisha” vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në kujtim të 28 mijë dëshmorëve të rënë gjatë luftës nazifashiste. Nuk kanë munguar mesazhet e kreut të shtetit, atij të ekzekutivit dhe asaj të Kuvendit edhe për 97-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Kryeministri Berisha kujtoi se festat e Pavarësisë dhe Çlirimit do të pasohen edhe nga një tjetër festë tepër e rëndësishme për shqiptarët, 8 dhjetori, ditën e Lëvizjes Studentore që detyroi krerët e regjimit komunist të shpallnin pluralizmin politik. Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për të gjithë të rënët, duke vlerësuar se sot është ditëlindja e kombit, është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin dhe burrat e mëdhenj të kombit, që themeluan Shqipërinë e pavarur, pas përpjekjesh të mëdha dhjetëra vjeçare, në vitin 1912, në Vlorë. “Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigande të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë”, - tha Kryeministri. Z. Berisha theksoi më tej se asgjë nuk mund të errësojë këtë faqe të ndritur të historisë. “Ata të cilët shkelmuan idealet e tyre dhe vendosën në Shqipërinë e pasluftës regjimin më barbar që kohërat kanë njohur, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, ndërsa luftëtarët e lirisë, shokët e shoqet e tyre që u martirizuan në luftë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë, për sakrificën dhe kontributin e tyre”, - vijoi ai. Më tej, Kryeministri Berisha vuri në dukje se të gjithë kremtojnë festën e madhe të kombit, ditëlindjen e kombit, kremtojnë heroizmin, luftën, përpjekjen e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, më të lirë, më krenarë se kurrë në historinë tonë. “Flamuri i Skënderbeut, flamuri për të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë në kryengritjet e mëdha dhe që bënë Shqipërinë të pavarur, flamuri për të cilin mijëra e mijëra djem e vajza shqiptare ranë në Luftën e Dytë Botërore, valëvitet krenar në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të kohërave, ecën krenar dhe i sigurt drejt flamurit të Bashkimit Evropian. Pra, sot kemi një mijë e një arsye për t’u shprehur atyre që sakrifikuan për këto ditë, nderimet më të mëdha”, - tha Kryeministri. Kurse Presidenti i vendit, Bamir Topi, u shpreh: "Kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë patriotëve, që bënë të mundur që të luftojnë, pa ndërprerë në asnjë moment aktivitetin e tyre për mbijetesën e shtetit shqiptar, për identitetin e tij dhe kuptohet pas kaq vitesh ne kemi një Shqipëri jo vetëm me një identitet të qartë, por anëtare të NATO-s dhe së shpejti një vend i BE-së".

Berisha, vizita në familjet e dëshmorëve

Kryeministri Sali Berisha në ditën e 28 Nëntorit, zhvilloi dje një vizitë në familjen e Heroit të Kombit, Myslym Shyri dhe të Dëshmorëve të Atdheut, Dionis dhe Kleanthi Manastirliu. Kryeministri Berisha, duke u përcjellë pjesëtarëve të familjes Shyri nderimet më të thella të tij, të qeverisë dhe të të gjithë shqiptarëve, për veprën e pavdekshme të Komisarit të Batalionit të Dytë, Heroit të Popullit, Myslym Shyri, vlerësoi se ai ishte një nga luftëtarët më trima në luftën çlirimtare të kombit shqiptar, i cili i jep nder familjes së tij, Tiranës dhe çdo shqiptari, me veprën dhe sakrificën e tij sublime. Ndërsa gjatë vizitës në familjen Manastirliu, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e madh të kësaj familjeje në luftën çlirimtare, me angazhimin e të gjithë anëtarëve të saj, nga ku, dy prej tyre, Dionisi dhe Kleanthi, ranë në këtë luftë në vitin 1944, duke u shpallur Dëshmorë të Atdheut. Kryeministri theksoi se sakrifica e bijve të familjes Manastirliu do të ndrisë gjithmonë; ideali i lirisë, ideali për të cilin ata sakrifikuan, sot është në ndërtim e sipër, më i lirë se kurrë dhe më shpejt se kurrë. “Ne jemi krenarë me ju dhe ndihemi shumë të obliguar që të mund të shndërrojmë plotësisht në realitet idealin e tyre. Familja juaj ka një sakrificë të madhe në themelin e lirisë dhe dinjitetit të kombit, ndaj ata do të jenë gjithmonë të nderuar”, - tha z. Berisha. Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi vizita në familjet e dëshmorit Myslym Shyri dhe Kristaq e Margarita Tutulani. Presidenti i Republikës, po dje nderoi kujtimin dhe veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve që punuan, luftuan dhe dhanë edhe jetën në shërbim të kombit teksa u takua edhe me veteranë të UÇK-së. Kurse mbëmë në orën 19:00 zhvilloi në Pallatin e Brigadave pritjen shtetërore me rastin e shpalljes së Pavarësisë.

Topalli: Skënderbeu luftoi për Shqipërinë në Perëndim

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve dhe një ekspozite për festën kombëtare, u shpreh për mediat se Heroi Kombëtar Skënderbeu luftoi që Shqipërinë ta çonte drejt Perëndimit. “Ne e dimë, që në shekuj shqipet për vetë natyrën e tyre fluturonin të pashoqëruara. Kështu ishte dhe kur Princi i lirisë, Skënderbeu, luftonte për bashkimin e shqiptarëve, për t’i orientuar drejt Perëndimit”. “Kështu, - shtoi ajo, - ishte në 28 Nëntor 1912, kur plaku i Vlorës bashkoi përsëri burrat dhe ngriti lart flamurin shqiptar. Sot shqipet nuk fluturojnë më të pashoqëruara, sot ato janë bashkë në Evropë”. Më tej, Topalli aktualizoi: “Një vit përpara, kur kujtonim dhe festonim 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, sot Shqipëria është anëtare e NATO-s”. “Në 28 Nëntor 2008, - vijoi ajo, - Shqipëria nuk kishte OK për kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat, sot në 28 Nëntor 2009, Shqipëria është pranuar në kërkesën e saj”. Topalli vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” dhe tha se nderon kujtimin e të rënëve për pavarësi, në këtë 28 nëntor kur Shqipëria është shumë pranë realizimit të ëndrrës evropiane. Më pas, kryetarja e Kuvendit u takua me familjarë dhe të afërm të të rënëve për pavarësi, duke shprehur bashkë me ta kënaqësinë se ky 28 nëntor e gjen Shqipërinë në një vit historik; anëtarësimi në NATO dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Njësimi i festave, Imami mbledh veteranët e luftës

Për t’u uruar njëkohësisht edhe për festën e Pavarësisë edhe për festën e Çlirimit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, mblodhi dje në Shtëpinë e Ushtrisë veteranë të shumtë të Luftës Nacionalçlirimtare. Pasi u shpreh se data 28 Nëntor është Dita e Flamurit, ministri foli për të njëjtën datë edhe për çlirimin e vendit. “Është një moment për të kujtuar ata djem dhe vajza, burra dhe gra, të cilët dhanë jetën për çlirimin e atdheut”, - u shpreh Imami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›