E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në SHBA: Shqipëria, me potenciale investimi

“Përfitimi më i madh për ata që investojnë në Shqipëri është në fushën energjitike, turizmit, minierat, arsimit”. Kështu është shprehur kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në “Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri”, gjatë ditës së parë të qëndrimit të tij në New York.

Kryeministri Berisha bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesve ekonomiko-fiskalë, reformave ekonomike, fiskale dhe dixhitalizimit të procedurave administrative të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në funksion të bërjes së vendit sa më tërheqës për investimet e huaja. Kreu i qeverisë ftoi sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar ata se do të jenë të mirëpritur, do të gjejnë një mjedis shumë miqësor për investimet dhe projektet e tyre do të jenë një histori suksesi.
 

“Natyrisht, prania e tyre është dëshmi e interesit për potencialet e mëdha që ofron sot Shqipëria për investitorët amerikanë dhe investitorët e të gjitha vendeve. Prania e tyre këtu është një dëshmi e vullnetit që ata kanë për të shqyrtuar të gjitha këto mundësi, për të marrë informacionin më të madh të mundshëm dhe për të ndjekur shembullin e atyre investitorëve, të cilët bënë që Shqipëria në vitin 2010 të ketë investime direkte të huaja rreth 3 herë më shumë se në vitin 2006, që Shqipëria, në vitin 2010 të jetë i vetmi vend në Europën Juglindore me rritje të investimeve të huaja”, u shpreh në fjalën e tij kryeministri.
 

Sesioni i parë i Forumit, u përshëndet edhe nga kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, Ambasadori Fank Wisner. Kryeministri Berisha ndodhet në New York, për të marrë pjesë në sesionin e 66-të, të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, së cilës do t`i adresohet me një fjalë në seancë plenare. Në axhendën e Kryeministrit parashikohen takime me homologë dhe pjesëmarrje në disa Forume dhe takime të ndryshme. Gjithashtu delegacioni shqiptar u takua në një darkë pune me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga presidentja Ahtifete Jahjaga ku është diskutuar për situatën e fundit në Veri të Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›