Merkel: Nëse bie euro, do të bjerë edhe Europa

“Nëse bie euro, do të bjerë edhe Europa”. Mjaft e prerë dhe e fortë ka qenë deklarata e dhënë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në prononcimin e dhënë pas rezultatit zgjedhor në landin e Berlinit ku partia e saj doli humbëse.
Në fjalën e saj kancelarja Merkel nuk kurseu as këshillat për aletët e saj në koalicion. “Duhet t`i peshoni fjalët me kujdes, sepse rrezikohen tregjet”, u shpreh ajo. Reagimi i kancelares Merkel vjen në një kohë, në të cilën Greqia pret të marrë këstin e gjashtë të paketës së parë të borxhit të shpëtimit nga falimenti. Zbatimi i planit të shpëtimit të Greqisë nga falimenti më parë duhet të shoqërohet me implementimin e plotë të reformave që janë parashikuar nga konsultat me instancat e larta të BE.
Më herët ka qenë zëdhënësi i komisionerit të cështjeve ekonomike Oli Rehn, i cili ka deklaruar se nga e Athinës zyrtare pritet të realizohet plani i shpëtimit. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më pak, thjesht zbatimin e asaj cfarë kemi shpalosur në tavolinë”, u shpreh zëdhënësi i komisionerit Rehn.
Edhe pse nga ana e Athinës janë marrë një sërë masash ekstreme për shkurtimin e shpenzimeve, rritjen e taksave si dhe shkurtime të ndjeshme në administratë, niveli i deficitit buxhetor mbetet në nivele alarmante. Kriza e thellë ekonomike e shtetit fqinj thellohet edhe nga grevat e shumta të sindikatave të cilat shpesh herë kanë kërkuar anullimin e masave që dëmtojnë ekonominë. Edhe presioni nga ana e BE ka qenë mjaft i lartë për Greqinë sa i përket zbatimit të planit të masave kundër falimentit.
Athina është në pritje të kalimit të këstit të gjashtë të fazës së parë të borxhit i cili kap shifrën e 8 miiardë euro. Një sërë shtetesh të BE-së, kanë nisur implementimin e masave për kursime në shpenzime, Ndërmjet të cilave edhe Italia e cila ka shfaqur probleme serioze me nivelin e lartë të borxhit. E ndërsa kriza në Greqi nuk po njeh zgjidhje,pas deklaratës së fortë të kancelares Merkel, tashmë ngrihet një pyetje: Sa do të rezistojë Eurozona….