E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Shkodër: Sapo të ikë uji, dëmshpërblimet

Kryeministri Sali Berisha ishte sot në qytetin verior, ku u njoh më nga afër me situatën e krijuar pas përmbytjes në këtë qark, si dhe me planin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në vështirësi.

“Duhet t’i garantoj qytetarët e zonave të përmbytura se sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve dhe se ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave. Çdo vend i lirë ka një ligj për digat dhe ligji është universal. Ky ligj detyron autoritetet të zhdëmtojnë gjithçka që lidhet me praninë e digave. Mbi këtë bazë është bërë përllogaritja dhe zhdëmtimi një vit më parë, po mbi këtë bazë do të bëhet edhe këtë vit”, ka theksuar shefi i qeverisë. Për këtë arsye, ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve se pa u tërhequr përmbytja nuk mund të bëhet vlerësimi i dëmeve.

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, i vendosur në Prefekturën e Shkodrës, Kryeministri Berisha i cilësoi përmbytjet si më kritike që kanë përfshirë këtë qark në 150 vitet e fundit. "Kjo fatkeqësi e madhe natyrore përmbyti mbi 14 mijë hektarë tokë, një përqindje të madhe të qytetit të Shkodrës. Si pasojë e përmbytjes u shpërngulën mbi 14 mijë qytetarë nga vatrat e tyre familjare dhe u përmbytën mijëra shtëpi", tha Berisha.

Më tej, kryeministri tha se situata po shkon drejt përmirësimit. “Pozitive është se sot janë mbi 3335 qytetarë që janë kthyer në shtëpitë e tyre, se uji është tërhequr dhe sot janë 10900 e  jo më 14 mijë hektarë tokë nën ujë, se qyteti është i kalueshëm në aksin e tij kryesor, se numri i shtëpive të rrethuara nga uji apo nën ujë është pakësuar me 1200. Pra situata është optimiste dhe në përmirësim të qartë”, vijoi Berisha. Më tej, kryeministri sqaroi se tashmë janë miratuar pesë projekte të ndërhyrjeve, të cila u japin përgjigjen më të merituar sistemeve të ujërave të zeza, stacioneve të pompimit të ujësjellësve, sistemeve të ujërave të bardha, byepass-i dhe pjesa shtesë e tij. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-13 17:27
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›