E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Vlorë, mbyllen shkollat, reagon PS, LSI e G99

Për shkak të vizitës së kryeministrit në Vlorë, është ndërprerë procesi mësimor në këtë qytet. Lidhur me këtë fakt kanë reaguar disa forca politike, PS, LSI dhe G99 duke e konsideruar këtë një hap të turpshëm të qeverisë. 

VLORE- Vizita e kreut të ekzekutivit sot në qytetin e Vlorës ka ndërprerë procesit mësimor në këtë qytet. Kjo pasi nxënës e studentë kanë marrë pjesë në takimin e zhvilluar nga kryeministri i vendit. Lidhur me këtë fakt kanë reaguar disa forca politike, PS, LSI dhe G99.
Sipas kreut të Partisë Socialiste në Vlorë, Eltar Dede Berisha ishte në Vlorë për ti treguar të rinjve se dy rrugët për tu future në Evropë janë bojkotimi i mësimit dhe të merren me politikë.
“Kryeministri ka ardhur ti tregojë të rinjve të qytetit të Vlorës dy rrugë se si integrohemi në europë. E para, duke bojkotuar mësimin dhe e dyta, duke edukuar këta të rinj se duke bojkotuar shkollat të merren me politikë paçka se nuk e kanë mbushur moshën e tyre, kjo është dëmtuese për arsimin” theksoi Dede për mediat.

Ndërkaq, sipas zëdhënëses së LSI në Vlorë, Entela Rushiti kryeministri mbylli shkollat për tu folur të rinjve për gjërat që nuk ka realizuar dot.
“Sot në vend që të jepej një shembull se si gjimnazistët duhet të frekuentonin shkollat, ai i mbylli tempujt e dijes që tu fliste të rinjve për ato që nuk i ka realizuar sot për sot” u shpreh Rushiti.
Ndër të tjera LSI akuzon kryeministrin Berisha se “nuk ka asnjë arsye për të shkuar në Vlorë për shkak se gjatë këtyre 4 viteve qeveria e tij ka trefishuar papunësinë në këtë qytet”.

Edhe lëvizja G99 ka reaguar pas vizitës së kryeministrit duke dënuar mbylljen e shkollave. Përfaqësuesi i G99, Genc Kojdheli deklaroi se bllokimi i procesit mësimor është e turpshme për një qeveri me të drejta të polta në NATO.
“Është e turpshme që një qeveri e cila është me të drejta të plota në NATO dhe aspiron për në Bashkimin Evropian përdor të tilla praktika fashiste për të mbushur sallat elektorale.. Ndaj ne i kërkojmë qeverisë që të tilla praktika të ndalohen dhe të mos përsëriten në të ardhmen” theksoi Kojdheli. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›