Berisha në familjen e të vrarit në Gërdec, premton se do çojë një kompjuter
Ditën kur mediet publikuan fakte që lidhin familjen kryeministrore me tragjedinë e Gërdecit, kryeministri, Sali Berisha, gjeti një nga këto familje për të bërë vizitë.
Pa praninë e medias, në një vizitë të paparalajmëruar, Berisha ishte në shtëpinë e të ndjerit Reshit Kruja.
Kryeministri, i cili ka munguar të shkojë në përvjetorin e kësaj tragjedie në familjet e të ndjerëve, është shfaqur ditën e djeshme për të folur për Gërdecin dhe ka premtuar se do u çojë atyre një kompjuter.
“Kryeministri Berisha theksoi se drejtësia që familjarët kërkojnë, duhet dhe do të vihet patjetër në vend dhe për këtë qeveria ka dhënë dhe po jep të gjithë mbështetjen e saj.
Bashkëshortja e të ndjerit Reshit Kruja kërkoi një ndihmë të menjëhershme për vajzat e saj, të cilat ndiqnin universitetin, një kompjuter në shtëpinë e saj, i cili iu premtua menjëherë nga kryeministri Berisha dhe deputeti Patozi, i cili shprehu gatishmërinë që një kompjuter do t’i shkonte kësaj familjeje menjëherë në ditët e ardhshme”, - thuhet në një njoftim zyrtar të Kryeministrisë.