E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pushtet që po ndëshkohet “në emër të djalit dhe vajzës”

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, ishte dje ilegalisht në Gërdec. I tmerruar nga faktet publike për lidhjet e djalit të tij me Delijorgjin dhe lobimi i vajzës së tij për kontrata koncesionesh në Porto Romano, ai e gjeti të udhës të futej larg syve të medias në një shtëpi fatkëqijsh, me shpresë që të na mbushte mendjen ne të tjerëve se po përballet me tragjedinë. Në të vërtetë, ai ngjante më shumë me instinktin e njeriut që kthehet në vendin e krimit.

Dje shqiptarët njohën atë që dinin, por që s’e pohonte askush, njohën që djali i kryeministrit dhe Delijorgji kanë folur menjëherë pas tragjedisë në telefon. Kjo do të thotë që djali i kryeministrit ishte ndër njerëzit e parë që Delijorgji telefonoi për të ndarë lajmin e keq. Po përse ndodhi kjo?

Kjo ndodhi, se djali i kryeministrit, Sali Berisha, është i përfshirë në lobimin e kontratës së Gërdecit, tragjedi në të cilën humbën jetën 26 vetë dhe u shkaktuan miliona euro dëme. Ne po sjellim sot një dëshmi autentike se si ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, i ka raportuar djalit të kryeministrit Berisha për komentet që ministria e tij kishte për vendimin 138, që u miratua më 14 mars 2007, vendim që i hapi rrugë demontimit të armëve në Gërdec dhe tragjedisë së 15 marsit 2008. Ministri Bumçi e ka përgënjeshtruar faktin, kur shtypi e bëri publik disa muaj më parë, por ne sot do të sjellim dëshminë e sekretares së Aldo Bumçit, e cila pranon para prokurorëve se ajo e ka nisur faksin dhe atë ia ka dhënë me shkrim dore Aldo Bumçi. Sekretarja po ashtu pranon se Shkëlzen Berisha ka shkuar dy herë në zyrën e zotit Bumçi për këtë problem.

Ky fakt në të vërtetë e rrëzon autoritetin e shtetit shqiptar, pasi paralel me pushtetin legal të kryeministrit Berisha, kemi pushtetin e të birit të tij, të cilit i raportojnë ministrat. Kjo vërtetohet më tej nga tabulatet e telefonit të ministrit Mediu, i cili ka rreth 60 telefonata në atë periudhë me Shkëlzen Berishën, disa herë më shumë sesa me Sali Berishën, të cilin e ka epror. Dhe si për ta bërë më të hidhur realitetin për djalin e kryeministrit, ai duket se ka folur menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit me Mihal Delijorgjin, me të cilin, me sa duket, ka diskutuar mënyrën se si do të sillen pas tragjedisë në orët e para të saj, ku Shkëlzeni humbi dhe burrin e tezes së tij.

Kontaktet personale të Shkëlzen Berishës me ministrin Mediu dhe Bumçi, si dhe tabulatet e telefonit të tij me Mihal Delijorgjin, hedhin poshtë deklaratat e gënjeshtërta të tij dhe kryeministrit Berisha pas tragjedisë, të cilët deklaruan se Shkëlzen Berisha nuk ka pasur asnjë kontakt me Mihal Delijorgjin. Sali Berisha duhet të japë sqarime publike për këto gënjeshtra dhe duhet të sqarojë pozicionin e tij ndaj kësaj tragjedie, pas fakteve të reja.

Problemi i dytë i Sali Berishës ka të bëjë me veprimtarinë e vajzës së tij, Argita Berisha. Gazeta “TemA” ka botuar ditën e diel gjithë korrespondencën që vajza e kryeministrit, në emër të studios së saj ligjore, ka pasur me një biznesmen arab, të cilit i ka premtuar ndërtimin e një termocentrali rreth 130 megavat në Porto Romano. Në kushtet e ofruara për kontratë bie në sy fakti se vajza e kryeministrit e ka pagesën 200 euro ora dhe kërkon 3 për qind të kontratës në rast suksesi. Siç dihet, suksesi për një kontratë shtetërore nga vajza e kryeministrit është i sigurt dhe thjesht i bie të llogarisim se sa milionë euro i bie të fitojë vajza e tij, kur bëhet fjala për një kontratë për ndërtim termocentrali.

Edhe në këtë rast kryeministri dhe vajza e tij kanë gënjyer publikisht. Edhe ai, edhe vajza, kanë thënë se veprimtaria ligjore e studios Malltezi nuk ka lidhje me klientë që kërkojnë favorizime nga shteti. Korrespondenca që ne po bëjmë publike, e provon këtë. Dhe ky është një rast që ne kemi prova konkrete, por ka disa kontrata koncesionesh që kanë përfunduar dhe klientët e saj në disa raste në mënyrë të tërthortë kanë arritur të marrin licencat prej rreth 1 miliard eurosh.

Zoti Berisha reagoi ndaj këtyre lajmeve me një gjuhë të egër duke akuzuar Edi Ramën, por duke pranuar se e-mail-et ekzistojnë dhe kjo është një veprimtari e ligjshme. Po, kjo do ishte një veprimtari e ligjshme, sikur Argita Berisha të mos ishte vajza e kryeministrit dhe sikur të konkurronte për kontratë jo në zyrën e babait të saj. Por, në rast se ajo kërkon 3 për qind të kontratës për shkak të firmës së babait, ajo përqindje thjesht mund të quhet Taksa Argita.

Këto janë dy skandale të rënda, të pariparueshme, për shkak se janë konsumuar dhe të padënueshme ligjërisht për momentin, pasi Sali Berisha është ende në pushtet. Prokuroria ka shkatërruar lidhjet politike të hetimit dhe, megjithëse Shkëlzen Berisha, siç shihet qartë, është tërësisht i implikuar në Gërdec, ai nuk është thirrur as për t’u pyetur. Presioni verbal i Sali Berishës e ka bërë punën e vet. Po ashtu, studioja Malltezi, e cila kërkon përmes ofertave miliona euro, është e regjistruar si person fizik, limiti i xhiros i së cilës nuk duhet t’i kalojë 80 mijë dollarë në vit, ndërsa një kontratë e tillë është sa dhjetëra vite pune të saj.

Së fundmi dua të theksoj se Berisha nuk mund t’i kalojë këto skandale në publik duke hedhur shashka kundër gazetarëve që i bëjnë publike dhe duke u përpjekur në mënyrë qesharake t’i bashkojë ata me Edi Ramën, apo duke u falur një kompjuter të përdorur dy vajzave që i ka lënë pa prindër. Nëse ka një aleat zoti Berisha në këto përpjekje të dëshpëruara që po bën për të shpëtuar nga gjykimi, ka heshtjen dhe zërin e ulët të Edi Ramës. Ata që po drejtojnë gishtin mbi skandalet e zotit Berisha, janë gazetarët, të cilët në shumicë kanë ndihmuar Berishën të vijë në pushtet dhe natyrisht e kanë detyrë ndaj shqiptarëve të ndihmojnë të ikë pa bërë shumë dëme. Dhe nëse e ka seriozisht se do t’i shkojë deri në fund hetimit për Gërdecin, le të nisë të rrëfehet për djalin e tij, dhe pas kësaj të guxojë t’i shkojë për ngushëllim kunatës së tij. Gërdeci e ka të tepërt talljen në këto ditë, kur pret me ankth mos ndoshta drejtësia vihet në vend dhe fajtorët e mbrojtur prej kryeministrit dalin para gjyqit.

Kjo është një histori e rëndë që po penalizon të djathtën të ikë nga pushteti për shkak të djalit dhe vajzës së tij. Kush do t’i shkojë deri në fund kësaj historie, e ka të thjeshtë, pasi fajtorët janë në një çati, në një shtëpi, në një familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›