“Gërdeci”, Gjykata e Lartë rrëzon prokurorinë për përjashtimin e gjyqtarëve
Gjykata e Lartë ka rrëzuar dje kërkesën e prokurorisë për përjashtimin e tre gjyqtarëve që po gjykojnë të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit. Gjykata nuk e mori parasysh kërkesën e organit të akuzës për përjashtimin e gjyqtarit Besnik Imeraj, edhe pse vajza e këtij të fundit punon në studion ligjore që ka marrë në mbrojtje Mihal Delijorgjin. Përveç kësaj, sipas prokurorisë, Imeraj ka lidhje të ngushta miqësore me kunatin e Delijorgjit, Ilirian Celibashin, si dhe avokatin mbrojtës të tij, Ardian Visha. Por, pavarësisht këtyre, kolegji i gjyqtarëve i ka cilësuar faktet e paraqitura nga prokuroria si të pabazuara në ligj. Prokuroria kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues edhe të gjyqtareve Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala, pasi këto të fundit kanë shqyrtuar kërkesat e caktimit të masës së sigurisë dhe sekuestrimit të pasurive të Delijorgjit. Kërkesë kjo, e cila ashtu si dhe kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Imeraj, është hedhur poshtë. Ndërkohë, seanca e djeshme ndaj 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit është shtyrë për në datën 22 maj, pasi disa prej të pandehurve kanë kërkuar veçimin e dosjes dhe gjykimin në Gjykatën e Shkallës së Parë, pasi, sipas tyre, ata nuk janë persona me imunitet.
Rrëzimi i kërkesës
Prokuroria ka kërkuar dje përjashtimin e kreut të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, i cili ka në dorë për gjykim dosjen ndaj 29 të pandehurve për shpërthimin në Gërdec. Kërkesa e prokurorisë është bazuar në faktin se vajza e tij, Marsela Imeraj, punon në studion e avokatisë “Hajdari & Haxhiaj”, e cila ka marrë në mbrojtje Mihal Delijorgjin, në procesin ku ai ndodhet si i akuzuari kryesor për tragjedinë. Kjo e fundit ka qenë përfaqësuese e Delijorgjit që prej momentit të arrestimit të tij. Në një autorizim të firmosur nga Delijorgji pas ngjarjes së Gërdecit thuhet se ai autorizon tre juristë të studios “Hajdari & Haxhiaj” për përfaqësimin e kompanisë dhe interesave financiare në mungesë të tij. Mes juristëve të autorizuar nga Delijorgji ndodhet edhe Marsela Imeraj. Por, përveç kësaj, prokuroria tha se rezulton që dokumentacioni, mbi të cilin janë themeluar kompanitë e Mihal Delijorgjit dhe në veçanti firma “AlbaDemil”, është hartuar nga studioja ligjore “Haxhia & Hajdari”, ku punon dhe vajza e anëtarit të Gjykatës së Lartë, njëherësh dhe pjesëtar i Kolegjit Penal të çështjes “Gërdeci”, Besnik Imeraj. Edhe pse rasti në fjalë parashikohet nga neni 17 i Kodit të Procedurës Penale si papajtueshmëri në gjykim, Imeraj nuk është tërhequr nga gjykimi i dosjes. Kështu, ky nen thotë se gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete: Kur ka interes në procedim ose kur një nga palët private ose një mbrojtës është debitor a kreditor ndaj tij, bashkëshortit ose i fëmijëve të tij; kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose njërës nga palët private, ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt e tij ose e bashkëshortit të tij. Pra, sipas këtij neni, gjyqtari Besnik Imeraj, menjëherë sapo u zgjodh për të qenë në Kolegjin Penal për shqyrtimin e dosjes së Gërdecit, duhet të ishte tërhequr nga gjykimi i saj. Duke qenë se kjo gjë nuk ka ndodhur, ka qenë organi i akuzës që e ka kërkuar dje. Megjithatë, kolegji i gjyqtarëve që kryesohej nga kreu i Gjykatës së Lartë, e ka cilësuar kërkesën e prokurorisë si të pabazuar në ligj, edhe pse neni 17 tregon qartë të kundërtën. Për këtë arsye, gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë për përjashtimin nga trupi gjykues që do të procedojë 29 të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit, të gjyqtarit Besnik Imeraj. Përveç kësaj, Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe kërkesën e prokurorisë për përjashtimin nga ky trup gjykues të dy gjyqtareve të tjera, Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala. Prokuroria kërkoi përjashtimin e tyre, pasi këto të fundit kishin qenë pjesë e trupit gjykues që kishte caktuar masën e sigurisë, si dhe kishte dhënë vendimin për konfiskimin e pasurive të Mihal Delijorgjit.
Veçimi i dosjeve
Pjesa më e madhe e të pandehurve, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës, gjatë seancës së djeshme gjyqësore kanë kërkuar veçimin e dosjes. Përveç kësaj ata kanë kërkuar që të mos gjykohen nga Gjykata e Lartë, por nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi, sipas tyre, ata nuk janë persona me imunitet. Për këtë arsye trupi gjykues ka vendosur që ta ndërpresë seancën e djeshme për ta shtyrë atë në datën 22 maj, kur dhe pritet që të merret vendimi, nëse dosjet e 29 të pandehurve do të ndahen. Në rast se do të ndodhte kjo gjë e fundit, gjë që në fakt ka pak gjasa, në Gjykatën e Lartë do të gjykohej vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili gëzon imunitet, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë do të procedohen në Gjykatën e Faktit. Në bankën e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit ndodhen 29 persona, nga të cilët 4 prej tyre po procedohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Nën këtë masë po gjykohen ish-administratori i firmës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i punimeve në Gërdec, Dritan Minxholli, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi. Ndërsa 25 personat e tjerë, të gjithë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, po gjykohen në gjendje të lirë. Në bankën e të akuzuarve ndodhet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin prokuroria ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Tragjedia për të cilën akuzohen 28 personat ka ndodhur një vit më parë, kur si pasojë e shpërthimit të fabrikës në të cilën kryheshin demontimet e municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Nga fuqia shpërthyese u shkatërruan edhe një numër i madh banesash dhe biznesesh, të cilat ndodheshin përreth. Hetimet për këtë tragjedi nisën me arrestimin tri ditë pas tragjedisë të Mihal Delijorgjit, Dritan Minxhollit dhe Ylli Pinarit, të cilët fillimisht u akuzuan për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Ndërsa më pas prokuroria ngriti në ngarkim të tyre akuzën e “Vrasjes masive”. Numri i madh i të pandehurve mund të bëjë që një prej proceseve më të bujshme dhe me numrin më të madh të të pandehurve në vendin tonë të vazhdojë për vite me radhë. Shembulli më i mirë për këtë është procesi gjyqësor ndaj bandës së Durrësit, kur po mbushen dy vjet që nga nisja e gjyqit në ngarkim të të pandehurve, janë zhvilluar vetëm tri seanca, ndërsa mbi 60 të tilla kanë dështuar.