Mediu dhe Delijorgji i raportonin Shkëlzenit pas shpërthimit në Gërdec
Vetëm pak orë pas shpërthimit të tmerrshëm në Gërdec, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes ka biseduar disa herë në telefon me Shkëlzen Berishën, djalin e kryeministrit Berisha. Konkretisht, ditën e 15 marsit 2008, Mediu ka bërë mjaft telefonata me politikanë të ndryshëm dhe persona të tjerë. Ish-ministri i Mbrojtjes ka biseduar disa herë me Shkëlzenin. Telefonata e parë është regjistruar në orën 2.08 minuta dhe ka zgjatur 74 sekonda; pra bëhet fjalë për një komunikim vetëm 2 orë pas shpërthimit në Gërdec. Më pas, në orën 4.31 minuta, Mediu ka folur 37 sekonda me djalin e kryeministrit. 10 minuta më pas ka folur përsëri 32 sekonda. Herën e fundit, ata kanë biseduar për 56 sekonda në orën 5 të pasdites. Ajo që është biseduar mes tyre, ndoshta nuk do të zbardhet kurrë.
Duhet evidentuar se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ka telefonuar plot 26 herë Shkëlzen Berishës në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Këtu nuk llogariten rastet, kur vetë Shkëlzeni mund t'i ketë telefonuar Mediut. Në ditën e shpërthimit të Gërdecit, ish-ministri Mediu ka folur me mjaft zyrtarë të lartë, që nga kryeministri e deri te deputetë të thjeshtë të PD. Në orën 12:17 minuta ai ka folur me kryeministrin Berisha në një komunikim që nuk ka zgjatur më shumë se 12 sekonda. Më pas, ai i ka telefonuar komandantit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, me sa duket për t'u informuar më në detaje për ngjarjen e rëndë. Ai ka komunikuar disa herë me Berishën dhe Spahiun, por edhe me shumë persona të tjerë, mes të cilëve, ish-zv/kryeministrin, Gazmend Oketa, Astrit Patozin, Genc Rulin e Bujar Leskajn. Ajo që bie në sy është se ministri i atëhershëm i Mbrojtjes nuk ka komunikuar asnjëherë në telefon me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Të gjitha kontaktet ai i ka mbajtur me gjeneralin Shpëtim Spahiun. Në kuadër të hetimit për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit dhe aferave të armëve, prokuroria ka sekuestruar tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, MEICO-s dhe personave të lidhur me ta: administratorit të “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, drejtorit të fabrikës, Dritan Minxolli dhe personave të afërt me ta. Janë rreth 200 mijë telefonata që janë kryer nga 1 janari i vitit 2006 deri në gusht të vitit 2008, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e aferës më të madhe korruptive të hetuar ndonjëherë në vend.
Delijorgji foli me Shkëlzenin 38 minuta pas shpërthimit
Bosi i “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, ka komunikuar në telefon me Shkëlzen Berishën, djalin e kryeministrit Berisha, në ditën e shpërthimit të Gërdecit, më 15 mars 2008. Nga zbardhja e tabulateve telefonike rezulton se Delijorgji, i cili gjendet pas hekurave si një nga përgjegjësit e kësaj tragjedie, i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 fill pas mesditës, pra vetëm pak kohë pas shpërthimit (tragjedia ndodhi rreth orës 12:10) që shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e rreth 300 të tjerëve. Telefonata ka zgjatur 54 sekonda dhe mbetet mister ajo që është biseduar mes Delijorgjit dhe djalit të kryeministrit.
Administratori i shoqërisë “AlbaDemil”, e ngarkuar me procesin e demontimit të municioneve në Gërdec, ka folur në telefon me Shkëlzen Berishën në datën 15 mars 2008, pak minuta pas shpërthimit vdekjeprurës. Nuk dihet ç'është biseduar gjatë 54 sekondave të bisedës, por ajo që bie në sy në leximin e tabulateve telefonike është komunikimi i shpeshtë Delijorgji-Berisha në periudhën janar-mars 2008. Për një periudhë 2 muaj e gjysmë, administratori i “AlbaDemil” i ka telefonuar 56 herë djalit të kryeministrit. Interesant është fakti që sipas tabulateve të Delijorgjit, të dy personat nuk kanë komunikuar në këto numra celulari në vitet 2006-2007. Bie në sy se përpara 15 marsit 2008, Delijorgji-Berisha kanë komunikuar shumë shpesh edhe brenda ditës, ndërsa ditën e shpërthimit vetëm 1 herë. Nuk dihet cila ka qenë porosia e fundit para prangosjes së bosit të “AlbaDemil”.
Emri i djalit të kryeministrit u lidh për herë të parë me tragjedinë e Gërdecit nga Kosta Trebicka, tashmë i vdekur në një aksident gjatë një regjistrimi telefonik me bosin e AEY, Efraim Diveroli. Pak ditë pas tragjedisë, dëshmitari Trebicka, i cili ishte afruar fillimisht për të bërë paketimin e municioneve në Gërdec, denoncoi në media një tregti të pistë armësh që kishte në thelb rritjen artificiale të çmimeve të shitjes nga MEICO. Trebicka u përjashtua nga ky biznes dhe, kur ai i ankohet Diverolit për këtë, merr si përgjigje: “Nuk të largova unë. Çështja ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij”. Kjo është hera e parë që emri i Shkëlzen Berishës lidhet me çështjen “Gërdeci”. Trebicka tha në një intervistë televizive për “News 24”, se edhe drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, i kishte përmendur emrin e Shkëlzenit si pjesëtar në biznesin e fishekëve. Vetë djali i kryeministrit në një deklaratë për shtyp i përgënjeshtroi të gjitha aludimet se ai ishte pjesë e aferave. “Çdo pretendim apo aludim për përfshirjen time në tregti të ligjshme apo të paligjshme armësh, është i pavërtetë dhe përbën shpifje”, - deklaroi Shkëlzen Berisha.