Berisha ne forumin e gruas se PD-se: Mbaresi e jashtezakonshme ta nisim me grate demokrate fushaten e rikthimit te 22 marsi i 1992-it
Në pallatin e Kongreseve pasditen e djeshme kryeministri Berisha në takimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, ku ndër të tjera u lancua platforma elektorale e “Rolit të Gruas për Zhvillim dhe Integrim”. Në këtë takim Kryeministri u shpreh se, “Është një mbarësi e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike të çelë sot këtu me ju fushatën elektorale, fushatën e fitores, fushatën e rikthimit te 22 marsit 1992, fushatën e horizontit të ri Evropian, fushatën e ëndrrave të shndërruara në realitet për ju, për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj. Ne ecim drejt fushatës elektorale dhe drejt zgjedhjeve të 28 qershorit të sigurt në fitoren më të thellë në historinë e pluralizmit. Ne së bashku kemi shndërruar në realitet projekte të mëdha të jetës sonë, ne së bashku pamë këto katër vjet që Shqipëria të ngjitet në një horizont që s’kishte qenë kurrë më parë, ne së bashku pamë që një program elektoral të paraqitur katër vjet më parë ta shndërrojmë në realitet. Sot, ju uleni me çdo shoqe, me çdo bashkëpunëtore dhe me çdo kolege të çdo prirje politike, me ndjenjën e thellë të krenarisë të premtimeve të katër viteve”. Ndër të tjera Berisha theksoi se fushata elektorale e Partisë Demokratike është çelur një vit më parë, në të gjitha tubimet e grave të Shqipërisë. Gratë dhe vajzat, gjatë më shumë se një vit, mbushën sheshet, stadiumet dhe sallat me thirrjet e fuqishme për fitore dhe me besimin e madh të fitores. Ndaj edhe ky takim është vazhdimi i atyre. Gjithashtu Kryeministri garantoi se do mbetet gjithnjë i përkushtuar dhe i bindur se Shqipëria dhe kombi ynë nuk mund të jenë kurrë të emancipuar në rast se shqipëtarët nuk vendoseni në piedestalin që meritoni dhe në rast se ne nuk realizojmë barazinë midis babait dhe nënës, motrës dhe vëllait, bashkëshortit dhe bashkëshortes. Por, rezultatet e këtyre katër viteve janë inkurajuese. “Sot, administrata e Sali Berishës ka 59 për qind të saj zonjusha dhe zonja. Sot, në të gjithë universitetet e vendit 58 për qind e studentëve janë vajza. Parlamenti i ardhshëm do të ketë një përqindje shumë më të lartë se sa Parlamenti që shkoi me zonja dhe zonjusha të cilësive më të mira që ju përfaqësojnë ju. Pra, siç e shihni këto hapat të mëdha u ndërmorën pikërisht nga ajo mazhorancë dhe ajo parti politike, në të cilën ju jeni bashkëthemelues të saj dhe e mbështetët fuqishëm në të gjitha betejat e saj elektorale, por edhe qëndruat të pamposhtura në të gjitha vështirësitë e saj”, u shpreh më tej Berisha. Kryeministri garantoi mbështetje gratë më në nevojë, me ato të cilat për një arsye apo për një tjetër mbeten kryefamiljare. I garantoi atyre se brenda këtij mandati që jemi, do të përcaktojmë kuadrin e ri ligjor për t’i mbështetur me punësim dhe në të gjithë nevojat e familjes dhe të fëmijëve të tyre. Por, nuk do të jetë vetëm ky grup, i cili brenda këtij mandati do të marrë përgjigjen e merituar për kushtet dhe vështirësitë me të cilat përballet. Vitet që vijnë do të jenë vitet e ridimensionimit të madh të rolit tuaj në fushën e biznesit. Kjo qeveri do të garantoj gratë biznesmene me kredi të buta dhe grande, në mënyrë që të bëjnë një histori suksesi me biznesin e tyre. “Ne së bashku, katër vitet që vijnë do të arrimë të shohim një Shqipëri tjetër; një Shqipëri e cila do të ketë një infrastrukturë më moderne nga jugu në veri; një Shqipëria e cila do të mund të punësojë së paku 160 mijë qytetarë të saj; një Shqipëri e cila do të njoh revolucionin industrial më të fuqishëm të Ballkanit dhe më gjerë; një Shqipëri e cila do të njoh rritjen progresive të mirëqenies së qytetarëve të saj më shpejt se në çdo vend tjetër; një Shqipëri e cila do të njoh një konsolidim të arsimit të fëmijëve të saj dhe të shërbimeve shëndetësore, një Shqipëri tërësisht evropiane”, u shpreh midis të tjerave Berisha duke, kërkuar mbështetjen e shqiptarëve që të punojmë së bashku për fitoren e 28 qershorit, fitores së thellë për rikthimin e 22 marsit të vitit ’92, lavdisë tonë elektorale. Edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përshëndet Forumin e Gruas së PD-së Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje se “në mandatin e dytë qeverisës, mazhoranca do të sigurojë mbështetje sociale dhe financiare për të gjitha gratë në nevojë”. Këtë deklaratë Topalli e bëri gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në Forumin e Gruas së PD-së, organizmin më të madh të grave demokrate në Shqipëri që çeli sot pasdite fushatën elektorale të 28 qershorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Duke vlerësuar lart rolin e gruas në të gjitha fushat e jetës, Topalli u shpreh se “nënat janë shtyllat e familjes dhe të kombit”. Duke garantuar dhe mbështetjen e politikës për gratë, Kryetarja e Kuvendit tha se “Në 4-vjeçarin ardhshëm ne do të bëjmë çdo gjë për t'i mbështetur financiarisht nënat që rrisin fëmijët jetimë, gratë që i kanë bashkëshortët në emigracion duke u siguruar mbështetje në të gjitha drejtimet”. Si Kryetare e Kuvendit, ajo i siguroi gratë se do të jetë gjithmonë mbështetësja dhe avokatja e femrave. Një takim të veçantë dhe mbresëlënës gjatë punimeve të këtij Forumi, Kryetarja e Kuvendit e pati me një nënë e cila rriste 4 fëmijë jetimë. Kryetarja Topalli i premtoi asaj publikisht nga salla e Pallatit të Kongreseve se “duke nisur nga dita e nesërme, ajo mund të fillonte punë pranë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë”. Si nënë dhe politikane, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “këtë gjest humanitar mund ta bëjë secila prej zonjave që është në një pozicion drejtues”. Duke vlerësuar kontributin që mund të japin gratë në fitoren e së djathtës, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Unë jam e sigurt se PD do të fitojë në zgjedhjet parlamentare, por unë pres kësaj radhe që gratë ta bëjnë fitoren më të thellë dhe t'i japin Shqipërisë një mundësi që vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës të lëvizin pa viza dhe në vitin 2013 Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Topalli.
...