Kryeministri Berisha cel fushaten ne Durres: 4 vitet e ardhshme, Shqiperia evropiane do te jete vepra jone e perbashket

Partia Demokratike, në prani të kryetarit dhe njëherazi kryeministrit Sali Berisha, hapi dje fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. Shefi i qeverisë u zotua para qytetarëve të Durrësit se katër vitet e ardhshme do të jenë të Shqipërisë evropiane, të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik, të pagave dhe pensioneve të larta, të vendeve të reja të punës, të infrastrukturës moderne, duke premtuar parakalim të 6 vendeve të BE-së, mandatin e dytë qeverisës. “Vendi juaj është sot vend lider në Ballkan për thithjen e investimeve të huaja, 5.6 miliardë euro investime, janë firmosur vetëm 6 muajt e fundit. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se në katër vitet që do të vijnë Durrësi evropian, Shqipëria evropiane do të jetë vepra jonë e përbashkët. Për mua Durrësi evropian dhe Shqipëria evropiane do të thotë para së gjithash që qytetarët shqiptarë të punësuar, pensionistë shqiptarë të mirë paguar, të rinj shqiptarë të mirë shkolluar, rrugët e Shqipërisë, të gjitha të asfaltuara. Do të thotë ujë 24 orë, do të thotë Shqipëria superfuqi e vogël energjetike, do të thotë që ne shqiptarët që nisëm këtë rrugë 18 vite më parë me rrogat nga 4-6 dollarë në ditë, pas katër vitesh të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së. Në katër vite jua garantoj se për Durrësin, për Shqipërinë do të investojmë së paku 8 herë më shumë se sa është investuar katër vitet që shkuan”, deklaroi Kryeministri. Kryeministri u shpreh se në katër vjet qeveria bëri që Shqipëria të renditet më e mira në Ballkan dhe në 10-shen më të mirë në Botë për luftën kundër Korrupsionit. Berisha theksoi se Shqipëria u bë e besueshme për Evropën dhe botën “sepse ne me luftën tonë kundër korrupsionit ne ia dolëm të shpëtojmë në katër vite 5 miliardë dollarë nga kthetrat e tij”. “Ne u bëmë të besueshëm sepse ne si asnjë vend tjetër në Evropë në kulmin e krizës ekonomike shënuam vjet rritjen ekonomike më të madhe në Evropë. Ne u bëmë të besueshëm sepse ne edhe në këtë vit qëndrojmë në krye të Evropës për rritjen ekonomike ne u bëmë të besueshëm sepse ne si asnjë vend tjetër dyfishuam pensionet në fshat dhe i rritëm me 50-70-% ato në qytet, dyfishuam rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve. Ne u bëmë të besueshëm sepse Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shëngjinin e kanë vizituar 2.7 milionë turistë kundrejt 300 mijë në vitin 2004. Ne u bëmë të besueshëm sepse ne së bashku iu faktuam miqve tanë se ne do ta ndërtojmë me shpejtësi këtë vend. Vëllezër dhe motra vetëm në rrethin e Kavajës dhe Shijakut ne kemi asfaltuar 200 km rrugë”, deklaroi Kryeministri. Në këto katër vite, tha Berisha, ne u bëmë të besueshëm sepse asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam në këtë vend jo një mijë apo dy mijë, por afërsisht 6 mijë km rrugë. “Katër vite më parë ne së bashku e nisëm këtë rrugë në një kohë kur vendin e mbizotëronte krimi, në një kohë kur vendin e mbizotëronte korrupsioni, në një kohë kur Shqipërisë një fjalë të mirë askush nuk ia thoshte. Por sot ne nisim mandatin e dytë si anëtarë të NATO-s, si vend që kemi paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE dhe si vend me lëvizje të lirë”, u shpreh Berisha.
...