Krimineli i luftës do udhëheqë ushtrinë serbe
Gjeneral nënkoloneli Lubisha Dikoviq, ish-komandant i Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë jugosllave, e cila gjatë vitit 1999 kishte vepruar në Drenicë, është emëruar të hënën shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe. Agjencia e lajmeve FoNet bën me dije se në këtë post Dikoviq është emëruar nga presidenti serb, Boris Tadic.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, e ka emëruar sot Lubisha Dikoviqin shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shkruan kjo agjenci.
Dikoviq për luftën e zhvilluar në Kosovë, ku u vranë mbi 10 mijë shqiptarë dhe u zhdukën shumë të tjerë, ishte shpërblyer edhe nga ish-presidenti Slobodan Miloshevic.
Ai së bashku me katër komandantë të tjerë që luftuan në Kosovë ishin dekoruar me Urdhrin e lirisë, Urdhrin e heroit kombëtar, Urdhrin e flamurit jugosllav dhe Urdhrin e flamurit të luftës të shkallës së parë.