Konferenca në Durban: Mirë, por jo sa duhet!
Përfundoi në Durban të Afrikës së Jugut konferenca për klimën dhe ngrohjen globale. Negociatat dramatike përfunduan me një marrëveshje, por shumë dyshojnë se kjo mjafton për të shpëtuar globin
Edhe një herë tjetër u bë e qartë se botës i mungon vullneti politik që seriozisht të përballet me problemin e ndryshimit të klimës. Shumë vende hezitojnë të veprojnë: SHBA, Kina, Rusia, Kanadaja dhe India janë vetëm disa prej tyre. Në qoftë se gjeneratat e ardhshme shikojnë një herë mbrapa se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Durban, me siguri që do të mendojnë se nuk është arritur asgjë, pavarësisht marrëveshjes.
Marrëveshja
Delegatë nga 194 vende që janë mbledhur në Afrikën e Jugut për konferencën e klimës, kanë arritur një marrëveshje pas diskutimesh të vështira për një plan kompleks për të luftuar ngrohjen globale gjatë dekadave të ardhshme. Dje herët në mëngjes, vendet pjesëmarrëse në një raund të ri bisedimesh ranë dakord për mënyrat e mbrojtjes së mjedisit. Konferenca vendosi që vendet e industrializuara të respektojnë kushtet e Protokollit të Kjotos edhe pesë vjet pas skadimit të tij në vitin 2012. Përfaqësuesit vazhduan negociatat, megjithëse konferenca dyjavore ishte parashikuar të përfundonte të premten në qytetin port të Durbanit. Pjesa më e madhe e debatit u përqendrua në propozimin e Bashkimit Europian për t’i detyruar vendet që krijojnë ndotjen më të madhe mes ekonomive të zhvilluara dhe ekonomive me rritje të shpejtë si Kina dhe India, të pranojnë shkurtime të detyrueshme ligjore të çlirimit të gazit karbonik. Ministrja e Jashtme e Afrikës së Jugut, Maite Nkoana-Mashabane, e cila drejtoi konferencën, i kishte paralajmëruar delegatët se po të mos arrihej marrëveshje, kjo do të ishte një sprapsje e papërballueshme për përpjekjet ndërkombëtare për të kontrolluar nivelet e gazeve serë në atmosferë. Por mjaft ekspertë e shohin këtë si një zhvillim të cunguar.
Pse nuk bëhet më shumë?
Politika nuk po reagon. Së pari, për shkak të një lobi të fuqishëm në sektorin e energjisë, i cili paralajmëron se nga ndryshimet do të ketë humbje dramatike në industrinë e tyre. Por një problem tjetër është edhe mungesa e presioneve të mëdha tek njerëzit e rëndomtë. Duket se ndryshimet në klimë ata nuk i kuptojnë si një kërcënim konkret, por si diçka që është e largët.
Ndërkohë që për shumë njerëz në vendet e varfra, ku pothuajse nuk ka fare lirim të gazrave të dëmshme dhe ndonjë industri të zhvilluar, ngrohja e tokës do të thotë ulje e korrjeve, thatësira, uri dhe përmbytje nga ngritja e nivelit të oqeaneve. Ndryshimi i klimës në këto vende nuk ka të bëjë me ndonjë shkallë celsius, por me jetën dhe vdekjen.
Durbani solli gjëra të mira, por kjo nuk mjafton
Vendimi i marrë në Durban është pozitiv. Madje i mirë, sepse mundëson vazhdimin e Protokollit të Kiotos. Është mirë që në negociatat e ardhshme do të përfshihen edhe vendet në zhvillim, gjë që ofron mundësi të reja për uljen e gazrave të dëmshme. Por kjo e mirë, për fat të keq nuk mjafton, sepse në Durban nuk është arritur ndonjë marrëveshje vendimtare për ndërprerjen e ngrohjes së tokës. Me këtë vendim nuk do të zvogëlohet për asnjë shkallë ngrohja e tokës. Tani kërkohet më shumë angazhim dhe veprim. Më vonë askush nuk mund të thotë: neve nuk ka paralajmëruar askush. Johannes Beck/ DW