E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në pritjen e Mbretëreshës Elisabeta II, takohet me personalitete

I ftuar nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabeth II, Kryeministri Berisha mori pjesë, dje në mesditë, në një pritje madhështore që Madhëria e saj shtroi në Backingam Palace për kryetarët e shteteve dhe të qeverive që merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike, Londër 2012.
 

Në pritje merrnin pjesë mbretër, princër kurore, presidentë dhe kryeministra nga rreth 80 vende të botës.
Mbretëresha Elisabeta II, në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, pas mirëseardhjes që u uroi atyre, theksoi se esenca e shpirtit të Lojërave Olimpike është të qenit dhe të vepruarit së bashku.
 

Madhëria e saj theksoi gjithashtu se këto janë Lojërat e treta Olimpike që zhvillohen në Londër, që nga viti 1908 e deri sot dhe ky është një nder i madh për Britaninë e Madhe, vend themelues dhe djep i shumë sporteve të përhapura sot në mbarë botën.
Në këtë pritje, që zgjati disa ore, Kryeministri Berisha pati biseda dhe shkëmbeu mendime me shumë të pranishëm.
 

Së pari, Kryeministri falënderoi Mbretëreshën Elisabeth II për pritjen e përzemërt dhe shprehu kënaqësinë e madhe që pati mundësinë t`i urojë direkt përvjetorin e diamante, 60 vjetorin e mbretërimit të saj, periudhë në të cilën Madhëria e Saj ka fituar admirimin dhe respektin e mbarë njerëzve të lirë në botë. Mbreteresha Elisabeth II e falënderoi Kryeministrin Berisha për urimet.
 

Kryeministri zhvilloi gjithashtu një bisedë me trashëgimtarin e kurorës britanike, Princin e Wellsit Charles. Lartësia e tij u tregua shumë i interesuar për zhvillimet në Shqipëri dhe e siguroi Kryeministrin Berisha se ka dëshirë të vizitojë Shqipërinë.
Në pritje, Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me Mbretëreshën e Spanjës, Sofia. Madhëria e saj tregoi interes dashamirës për zhvillimet në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri takoi Dukën e Madh të Luksenburgut, Princin e Monakos dhe Lartësinë e saj Mbretërore, Princeshën Mathilde të Belgjikës.
 

Kryeministri u takua me Presidentin e Italisë Giorgio Napolitano, me të cilin u diskutua përzemërsisht mbi vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, si dhe me Presidentin e Portugalisë Anibal Cavaco Silva dhe Presidentin e Çekisë Vaclav Klaus.
Gjatë kësaj pritjeje, Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha biseduan përzemërsisht me Zonjën e Parë të SHBA Michel Obama, me

Kryeministrin e Rusisë Dimitri Medvedev, Kryeministrin e Holandës Mark Ruter, Kryeministrin e Belgjikës Elio Di Rupo, atë të Irlandes Enda Keni, si dhe me kryeministrat e Rumanisë, Malit të Zi, të Bullgarisë, Kancelarin e Austrisë, etj.
Në këto biseda Kryeministri Berisha i njohu ata me zhvillimet në Shqipëri dhe ecurinë e reformave në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›