Berisha në pritjen e Mbretëreshës. Princi Çarls, vizitë në Shqipëri?
Londër- Kryeministri Sali Berisha ka marrë sot pjesë në pritjen madhështore të organizuar nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabeth II në Backingam Palace.
Pritje kjo e ideuar për kryetarët e shteteve dhe të qeverive që merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike, Londër 2012.
Siç njofton zyra për shtyp e kryeministrisë shqiptare në pritje merrnin pjesë mbretër, princër kurore, presidentë dhe kryeministra nga rreth 80 vende të botës.
‘Mbretëresha Elisabeta II, në fjalën e saj tha se esenca e shpirtit të Lojërave Olimpike është të qenit dhe të vepruarit së bashku. Në këtë pritje, që zgjati disa ore, Kryeministri Berisha pati biseda dhe shkëmbeu mendime me shumë të pranishëm.
Së pari, Kryeministri falënderoi Mbretëreshën Elisabeth II për pritjen e përzemërt dhe shprehu kënaqësinë e madhe që pati mundësinë ti urojë direkt përvjetorin e diamante, 60 vjetorin e mbretërimit të saj, periudhë në të cilën Madhëria e Saj ka fituar admirimin dhe respektin e mbarë njerëzve të lirë në botë’-njofton kryeministria.
Kryeministri shqiptar bisedoi edhe me Princin e Uellsit, Çarls i cili shprehu sigurinë se dëshiron të vizitojë Shqipërinë. Ndërkaq gjatë pritjes kryeministri Berisha u takua edhe me personalitete të tjera të udhëheqjes botërore.
/IDEA/