Berisha në samitin e PPE-së: Narkoshteti, pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mori pjesë sot në samitin e Partive Popullore Europiane (EPP) që po mbahet në Podgoricë, Mali i Zi.
Në një prononcim për mediet, kryedemokrati tha se “fokusi i takimit ishte Ballkani Perëndimor në raport me proceset e integrimit, sfidat dhe pengesat”.
“Pata rast të paraqes pikëpamjet e Partisë Demokratike mbi proceset e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit. Natyrisht nga këndvështrimi i opozitës, ngadalësimi i këtij procesi ka shkaqe të brendshme sipas vendeve”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE”.
“Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar”, tha Berisha.
Berisha tha se ngadalësimi i procesit të integrimit lidhet tërësisht nga faktorë lokalë.
“Nga mosrespektimi i standardeve demokratike, nga penetrimi i thellë i krimit në qeverisje. Në Shqipëri konkretisht narkoshteti, nga përdorimi i terrorit politik për të marrë vota dhe mandate”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u tha gazetarëve se në PPE e dëgjuan me shumë interes.
“Ishte një diskutim i hapur, natyrisht isha i vetmi opozitar në panel, pasi të tjerët përfaqësonin qeveri. E thashë që në fillim se unë, përfaqësoj opozitën dhe kam pikëpamje të ndryshme lidhur me ngadalësinë e procesit të integrimit që është tërësisht nga faktorë kryekëput pothuajse, nga faktorë lokalë”, shtoi Berisha.
I pyetur si u prit rikthimi në PPE, Berisha tha se ishte rikthim epik.
“Njohuritë për Shqipërinë janë krejt të tjera sot. Edi Rama do t’i ketë kohërat të pamundura të manipulojë, siç ka manipulur gjer sot opinionet|, përfundoi Berisha. /j.p/