E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ne sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB

TIRANË -Kryeministri Berisha mori pjesë në hapjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, bëri të ditur sot zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Sesioni 66-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u hap nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm më pas në drekën e shtruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në punimet e Asamblesë.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe drekës për nder të delegacioneve të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, Kryeministri Berisha pati takimeve me kryetarë delegacionesh, kryeministra dhe ministra të Jashtëm të vendeve të ndryshme, më të cilët shkëmbeu mendime mbi çështje me interes dypalësh dhe të përgjithshëm.

Kryeministri Berisha, në një prononcim për mediat, u shpreh se "sot ishte dita e parë, në të cilën Presidenti Obama mbajti edhe fjalimin kryesor të vitit, ku parashtroi qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për problemet më kryesore aktuale të botës. Ishte një diskurs shumë i kthjellët, elokuent, përfshirës. Gjatë drekës që Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun shtroi për kryetarët e delegacioneve të pranishëm në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shfrytëzova rastin dhe u takova me një sërë kryetarësh të delegacioneve dhe shkëmbeve me ta biseda dhe mendime për probleme me interes bilateral dhe të përgjithshëm, bisedova me Presidentin e Çekisë, Austrisë, Kryeministrin e Suedisë, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, të Italisë, të Belgjikës, të Australisë dhe një sërë kryeministra nga vende të ndryshme, kryetarë delegacionesh dhe ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera, të pranishëm në këtë drekë. I njoha ata me të gjitha zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet rajonale dhe i ftova miqtë të vizitojnë Shqipërinë dhe më premtuan për këtë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë premtoi se ka programuar për vitin e ardhshëm vizitën në Shqipëri. Po kështu, edhe bashkëbisedues të tjerë".

Përsa i përket rrugës së Shqipërisë drejt integrimit evropian, në sytë e zyrtarëve të lartë të BE-së, me të cilët Berisha pati takim, ai theksoi se "Shqipëria ka suksese të padiskutueshme në fushat ekonomike, sociale e të tjera, si dhe rezultate të lakmueshme të reformave".
Natyrisht, shtoi Berisha, "Shqipëria ka një problem, tani që është bërë botërisht i njohur, që qëndron në faktin se opozita nuk do të votojë, por do ta përdorë dhe e ka përdorur pushtetin e vet për të bllokuar. Tani opozita ka shpallur se do të angazhohet në reforma zgjedhore, gjë të cilën ne e mirëpresim, por ka shpallur se nuk do të votojë ligjet me 3/5 dhe ka vendosur një seri kushtesh e ultimatumesh, për të cilat, natyrisht, mendoj se janë qëndrime që kanë qëllim të justifikojnë qëndrimin e saj të mëtejshëm bllokues”.

Berisha gjithashtu theksoi se Kosova është pjesë e rëndësishme e axhendës së tij, ku ka pasur një seri taimesh me vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Në të gjitha takimet që kam patur me vendet që nuk e kanë njohur, sigurisht çështja kryesore është ajo e Kosovës. Konstatoj se ka një mirëkuptim në rritje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sikundër nuk mund të mohohet se tensionet e krijuara në veri dhe raporti i Dick Martit që ka transkriptuar në 80 për qind të tij, siç thotë vetë Prokurori i Përgjithshëm i Serbisë, raportin e Vukçeviçit, ka krijuar edhe ai një lloj shtjellimi që do të kthjellohet tërësisht pas hetimeve serioze që do të ndërmarrë EULEX, hetime që ne i kemi mirëpritur plotësisht", përfundoi Kryeministri Sali Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›