E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nënshkroi sot me PR-në marrëveshjen e përfaqësimit ne qeveri. Kryetari Mediu do të jetë ministër i Mjedisit

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nënshkruan sot paradite në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, marrëveshjen për qeverinë e re, ku republikanët do të mbajnë postin e Ministrit të Mjedisit, si dhe dy poste në nivel zëvëndësministrash. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha e vlerësoi PR-në aleatin më të ngushtë dhe më kryesor të PD-së në përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Sipas tij, marrëveshja e sotme me republikanët pason atë parazgjedhore, duke përçuar vlerat e bashkëqeverisjes edhe për një mandat katërvjeçar. "PR ka promovuar një çështje të madhe, siç është e drejta e pronës. Ju siguroj se mbetem i vendosur që të bashkëpunoj ngushtësisht me republikanët për reformën e pronësisë", u shpreh kreu i Qeverisë. Z. Berisha vuri në dukje rolin e rëndësishëm të kësaj partie në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke theksuar se hyrja në BE mbetet qëllimi i përbashkët në qeverinë e integrimit. "Jam i bindur se të gjitha shtyllat kryesore të programit tonë janë në interesin më të mirë të qytetarëve", tha Kreu i Ekzekutivit shqiptar. Ai informoi se PR, krahas postit ministror në qeverinë e re, do të marrë dhe dy poste në nivel zv/ministrash, si dhe do të ketë përfaqësim proporcional në të gjitha nivelet. Në kuadër të krijimit të kabinetit të ri qeveritar, pak ditë më parë Kryeministri Berisha konkretizoi marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me të cilën ra dakord për përfaqësimin e saj në qeveri në masën 20%. Sipas marrëveshjes, u vendos që LSI të mbajë postin e zëvendëskryeministrit, të ministrit të Jashtëm, ministrit të Ekonomisë dhe ministrit të Shëndetsisë. Gjithashtu, LSI do të ketë dhe postin e nënkryetarit të parlamentit, si dhe përfaqësim në nivele më të ulëta të pushtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›