E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/4 vitet e qeverisë “Berisha 1” i dhanë dimension të plotë një Shqipërie që po ndryshon

Kabineti “Berisha 2” që dekretohet gjatë kësaj jave, i quajtur ndryshe si koalicioni integrimit evropian, gjen një stacion të mirë ndërtuar, për të kapur horizonte më të largëta, drejt familjes së madhe evropiane. Qeveria e re ka objektiva të përcaktuar dhe një program qeverisës të koordinuar më së miri ndërmjet të dy forcave kryesore qeverisëse si PD dhe LSI

TIRANË- Kabineti qeveritar, i cili për 4 vjet (2005-2009) ia doli të realizonte reformat që do t’i jepnin dimensionin e plotë një Shqipërie ndryshe, nga sot i’a lë vendin Qeverisë së Integrimit, një kabinet i ri i krijuar me përfaqësues të spektrit të djathtë dhe të majtë politik në vend. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin e anëtarëve të qeverisë gjatë këtyre 4 viteve, kryeministri Berisha vlerësoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se “ekzekutivi i ri gjen një stacion të mirë ndërtuar për të kapur horizonte më të largëta se ato që u arritën në mandatin e parë”.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO si dhe progresi i integrimit drejt Bashkimit Europian mund të konsiderohen me të drejtë si projektime reale të suksesit të reformave në vend gjatë këtij 4-vjeçari. Programi elektoral me të cilin kandidoi Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 3 Korrikut 2005, përmbante në vetvete shumë sfida dhe premtime, të cilat njohën realizime gjatë 4 vite qeverisje. Shqipëria ia doli të shndërrohet në një kantier ndërtimi duke ndërtuar mbi 5 983 km rrugë të reja. Gjatë këtij mandati u ndërtua aksi i zhvillimit dhe bashkimit të shqiptarëve, autostrada Durrës- Kukës. Qeveria ka zgjidhur përfundimisht problemin e furnizimit me energji elektrike të qytetarëve, duke ngritur infrastrukturën për një sistem të ri energjetik dhe përmirësuar sistemin e shpërndarjes dhe shërbimin e tij.
Me rritjen e rrogave dhe pensioneve, Shqipëria kaloi standardet e vendosura në 2 vende anëtare të Bashkimit Europian, ndërkohë që nxori nga skema e varfërisë rreth 400 mijë qytetarë shqiptarë.
Lufta kundër korrupsionit dhe revolucioni fiskal e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja, të cilët kanë vlerësuar edhe klimën lehtësuese ndaj biznesit.
Shqipëria është bërë një vend i sigurt, e reflektuar kjo me shtimin e numrit të turistëve në vend, që në vitin 2008 arriti në 2.7 milionë turistë. Në periudhën janar-Korrik 2009 sipas statistikave, numri i turistëve u rrit 36%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Integrimi Europian   
Në 12 Qershor 2006 u firmos MSA me Bashkimin Europian. Në një kohë rekord prej 2 vjet e gjysmë kjo marrëveshje u ratifikua nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. 
Në 28 Prill 2009 Shqipëria dorëzoi kërkesën zyrtare për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Për sa i përket lëvizjes së lirë, Shqipëria shënoi progres në zbatimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e  vizave, i cili i’u dorëzua vendit tonë në 3 qershor 2008 nga Komisioni Europian. Pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike është një tjetër premtim që po bëhet realitet.     

Siguria 

Në katër vjet qeverisje, u eliminuan mbi 204 banda kriminale dhe u zbuluan dhjetra çështje të vjetra kriminale, të mbyllura me qëllim, u ul numri i krimeve për 100 banorë nën mesataren europiane, ndërsa është minimizuar trafiku i drogës në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. 

Lufta kundër korrupsionit

Qeveria mbajti premtimin për qeverisje me duar të pastra duke nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, u formalizua ekonomia dhe u privatizuan shërbimet që përbënin bazën e korrupsionit. Gjatë kësaj periudhe u mblodhën 4 miliardë dollarë më shumë se qeverisja e mëparshme, u dënuan dhe u dërguan në prokurori të gjithë të akuzuarit për korrupsion. “Transparency International” e vlerësoi Shqipërinë si vendin me performancën më të mirë në Ballkan dhe ndër 10 të parat në botë në luftë kundër korrupsionit. 

Infrastruktura 

Në katër vjet u investuan 178 miliardë lekë dhe vendit i janë shtuar 5 983 km rrugë të reja. Sipas statistikave, janë ndërtuar 2055 km rrugë të reja nacionale të financuara nga buxheti i shtetit, 1980 rrugë të financuara nga pushteti vendor dhe janë rikonstruktuar 1948 km akse nacionale. 
Janë ndërtuar akse të fuqishme të zhvillimit të vendit, si aksi Lushnje-Fier, Vlorë-Sarandë, si dhe kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Gjatë këtij mandati u ndërtua aksi i zhvillimit dhe bashkimit të shqiptarëve, autostrada Durrës- Kukës. 
Në 4 vjet janë ndërtuar mbi 730 vepra në ujësjellës-kanalizime, ndër to, 560 ujësjellësa, 170 kanalizime të ujrave të zeza etj. Fondet për pastrimin e ujërave të zeza llogariten në mbi 121 milionë euro dhe u shërbejnë 1.7 milionë shqiptarëve.

Invetimet e huaja

Shqipëria u shndërrua në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria në vitin 2008 u rendit e dyta në botë për suksesin e reformave në klimën e biznesit. U  firmosën kontrata për dy porte të reja, 3 fabrika çimentoje, 3 parqe të energjisë me erë, 47 hidrocentrale dhe për 6 parqe industriale. Të gjitha kontratat së bashku kapin një vlerë prej mbi 5 miliard euro, ndërsa në Shqipëri u punësuan rreth 80 mijë vetë. Ka përfunduar me sukses të plotë procesi i ristrukturimit të ekonomisë nëpërmjet privatizimeve strategjike, duke privatizuar në kohë dhe me vlera rekord Albtelekomin, ARMO, AMC dhe OSSH-në, në një kohë krize financiare globale. 
 

Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve

Qeveria e Partisë Demokratike, e kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, mbajti premtimin për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve si dhe uli diferencën nga 1 me 11 në 1 me 5 midis rrogave dhe pensioneve. Janë dyfishuar rrogat e mësuesve, të infermierëve, mjekëve të vendit dhe pensionet në fshat të shqiptarëve, ndërsa pensionet e qytetit kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Ndërkohë që, deri në fund të katërvjeçarit të parë, qeveria ka nxjerrë nga varfëria 400 mijë shqiptarë.

Turizmi

Numri i turistëve në Shqipëri arriti në 2.7 milionë në vitin 2008, nga 300 mijë turistë që vizituan vendi tonë në vitin 2004. Ndërsa vetëm në periudhën janar-Korrik 2009 sipas statistikave, numri i turistëve u rrit 36%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Taksat    
Revolucioni fiskal i Shqipërisë pati jehonën më të gjerë. Shqipëria u bë vendi me taksat më të ulta në Europë dhe janë rritur të ardhurat me 3.2 miliard USD.

Fshati
Zhvillimi i fshatit ka qenë kusht themelor për zhvillimin e Shqipërisë. Në 4 vjet janë asfaltuar rrugë rurale dhe janë investuar 1.6 miliardë dollarë në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, sisteme vaditje dhe kullimi. Qeveria ka trefishuar grantin për fermerët shqiptarë.
Shëndetësia
Janë dyfishuar rrogat e infermierëve dhe mjekëve dhe është rritur me 60 për qind buxheti për këtë sektor. Qeveria ka hedhur bazat për një reformë të thellë dhe të plotë.  

Shqipëria u vizitua nga liderat më të fuqishëm të botës
Në 10 Qershor 2007 vizitoi Shqipërinë Presidentin i SHBA-së, George Ë. Bush. Në 4 vjet vendin ynë u vizitua nga Kryeministri italian Berluskoni, ai grek, Karamanlis, Kryetari i Komisionit Europian, Baroso, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s , Scheffer, Kryeministri i Luksemburgut, Junker, ai çek, Topolanek, hungarez, Gyurcsány, turk Erdogan etj. Shqipëria u bë një vend i hapur për kanceleritë europiane.
 

Objektivat e qeverisë “Berisha 2”, për katër vitet në vijim

Integrimi

Për mandatin 2009-2013, qeveria e re ka si objektiv kryesor për të realizuar heqjen e sistemit të vizave me BE brenda 365 ditëve të para të mandatit të parë dhe hapja e negociatave për anëtarësim të plotë në BE 

Hapja e 160 mijë vendeve të reja të punës

Ulja e papunësisë në mesataren e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe hapja e 160 000 vende të reja pune në: Ndërtimin e 104 hidrocentraleve, ndërtimin e mijëra km rrugë, ujësjellësave, kanalizimeve, ndërtimin e shkollave dhe spitaleve, ndërtimin e 6 parqeve të reja industriale në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Fier, ndërtimin dhe shërbimin në dhjetëra resorte turistike 

Infrastruktura

Për katër vitet në vijim Koalicioni i Integrimit, synon të përmbushë ndërtimin e akseve më të shkurtra kombëtare si Boshti i Jugut, Tiranë-Elbasan-Berat-Kuçovë-Tepelenë, Rrugën e Arbërit, Bulqizë-Tiranë, Fierzë-Koman, Konispol-Sarandë, Vermosh-Shkodër, Qafë Plloçë-Qukës. Premtimi solemn e Partisë Demokratike në fushatë ka qenë që çdo fshat do të jetë i lidhur me komunën me rrugë të asfaltuar

Rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve

Qeveria e re premton se në katër vitet e ardhshme do të vazhdojë rritjen e rrogave në të gjithë sektorët e administratës duke kaluar 6 vende anëtare të BE. Barazimi i  pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Garantohen pensione më të larta se në 6 vende anëtare të BE dhe njëherazi rritje të ndihmës sociale mbi 2 dollarë në ditë brenda vitit 2010.

Shëndetësia

Reforma në shëndetësi konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme të qeverisë “Berisha 2”. Për katër vitet në vijim, buxheti për shëndetësinë do të rritet me 60%.  Rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten më shumë se në 6 vende të Bashkimit Europian. Priten investime për teknologji moderne për spitalet tona dhe qendrat shëndetësore. Luftë me zero tolerancë korrupsionit në shëndetësi   

Lufta kundër korrupsionit

Qeveria e re, nisur edhe nga premtimet elektorale të Partisë Demokratike, do të ulë shpenzimet operative. Do të ristrukturohet sistemi i regjistrimit të pasurive të patundshme dhe komisionet e  kthimit  e kompensimit të pronave për të garantuar të drejtën e pronës dhe për të luftuar korrupsionin. Do të shtrihet në të gjitha nivelet dhe do të përmirësohet procesi i tenderimeve on-line. Gjithashtu, do të reformohen të gjitha procedurat në të gjithë sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›