“Krokodilët” e PS-së sulmojnë çdo koalicion konstruktiv
“Mos harxhoni kohë me kundërshtarë të padenjë” - Pastër -
Shkaku i konflikteve sociale buron edhe sot nga ideologjia kriminale komuniste. Krijimi i armiqve imagjinarë ishte në diktaturë një nevojë për të “justifikuar” raprezaljet dhe krimet. Deviza ishte “Të gjithë kundër të gjithëve për të mbrojtur bandën e xhelatëve”. Kush nuk urrente ata që dënonte partia, shihej me dyshim. Bilé, dënohej. Të gjithë lypsej të silleshin ndryshe nga ç’mendonin. Të kishin frikë edhe nga këmisha, që kishin veshur. Ishte naivitet i rrezikshëm ta përfytyroje veten të imunizuar nga goditja e luftës së klasave. Sikur populli të kishte zbatuar kërkesat e diktaturës, shqiptarët nuk do t’i flisnin sot me gojë njëri-tjetrit. E, megjithatë, diktatura e dëmtoi rëndë harmoninë shoqërore. Dashuria e njeriut për njerinë u ruajt në shpirtra si ajo fosilja e lashtë mes pllakave të një shkëmbi. Por, ndërsa populli edhe sot përpiqet të realizojë pajtimin, “krokodilët” e PS-së sulmojnë me ngulm që, mes shqiptarëve që mendojnë ndryshe, të ruhet dallimi, përbuzja dhe urrejtja e vjetër klasore. Mirëpo, ja që kësaj fryme përçarëse nuk u binden njerëzit e thjeshtë e me ndjenja të mira. Nuk u binden gati gjithë shqiptarët e vërtetë. Nuk e gëlltitin këtë filozofi kriminale të urrejtjes së paarsyeshme të gjithë ata që ruajnë në shpirt mirësinë, virtytin dhe shqiptarizmin. Dhe kjo nuk ndodh vetëm tek e djathta. Jo! Ka dhe mjaft socialistë, që i janë gëzuar sinqerisht demokracisë. Sidomos ata, që, ndonëse me biografi të “mirë”, hoqën nga diktatura të zitë e ullirit. Se komunizmi dhe njerëz të “tij” i mbajti në mjerim dhe i talli duke i detyruar të krenohen me lirínë e munguar. Bile dhe i degradoi duke i ushqyer me urrejtje dhe përçarje vëllavrasëse. Të çoroditur, shumë socialistë të thjeshtë aspiruan një parti të majtë, që t’u kthente dinjitetin e munguar. Prandaj, të armiqësuar kundër vullnetit, këta shpresuan vëllazërimin. Dhe nuk po e kuptojnë përse mbahet gjallë urrejtja dhe përbuzja e vjetër klasore prej drejtuesve të tyre. Sidomos kur shohin tolerancën fisnike të viktimave të masakrës komuniste. Të paqartë, socialistët pyesin se kujt i intereson, vallë, ky armiqësim e ky konflikt i ri, artificial. Se shumë prej tyre kanë treguar dhembshuri ndaj të përndjekurve të diktaturës edhe në kohën, kur kjo gjë paguhej me kokë. Sa njerëz të mirë janë dënuar atëherë ashpër vetëm pse me dashurinë e tyre njerëzore kanë zbutur luftën e klasave ?
Kur Rama shpalli “Politikën e re”, pati mjaft socialistë që shpresuan se mund të vinte një frymë pajtimi, ku shqiptarët të mos e shihnin shtrembër njëri-tjetrin. Por kjo “Politikë e re” paskësh qënë vetëm bashkim rreth një personi, interesi i të cilit e donte solidaritetin qytetar vetëm në shërbim të ambicies së vet për pushtet absolut. Ideatori i kësaj politike qënkësh një mashtrues, që edhe keqardhjen për nevojtarët e shfrytëzoi si “argument” për të thelluar urrejtjen ndaj kundërshtarit politik. Çudí ! Si nga dheu kanë dalë vazhdimisht në krye të P.S.-së njerëz të paçliruar nga mentalitetet dhe paragjykimet klasore. Shumë prej tyre endé nuk gjykojnë me kokën e vet. Dhe duken si ca robotë, që lëvizin e “gjykojnë” sipas klisheve të vjetra të diktaturës. Shumë prej tyre nuk pranojnë kurrsesí të distancohen nga krimet e komunizmit dhe vazhdojnë të shtiren sikur nuk i kanë pasë kuptuar intrigat, shpifjet dhe manipulimet që bëri komunizmi për të sajuar armiq imagjinarë. P.S.-ja, pra, e cila duhej ta kërkonte me qirí paqen sociale, po nxit e stimulon gjithandej sot frymën e konfliktit. “Krokodilët” e saj, me Ramën në krye, vazhdojnë të ushqejnë me armiqësí absurde një shoqëri, që priret nga bashkimi dhe vëllazërimi. Dhe populli sheh se sí mblidhen asamblera dhe kongrese të P.S.-së, ku nuk dëgjohet një fjalë pendese, një tingull mohimi i së kaluarës kriminale. Nuk po dëgjojnë shqiptarët një kuadër socialist të shprehë respekt për ato mijra viktima, të masakruara prej mizorisë komuniste. Përkundrazi! Si nga një dorë e zezë, e padukshme, përzgjidhen në krye të P.S.-së njerëz, që, ose janë të lidhur direkt me krimin e djeshëm, ose janë bashkautorë në korrupsion, me të cilin vazhdojnë të forcojnë frymën e përçarjeve të vjetra klasore.
Dhe shqiptarët çuditen tek shohin që për socialistët “progresistë” nuk paska hall më të madh, sesa të mbajnë në krye ideatorin dhe frymëzuesin e ri të po asaj doktrine të vjetër kriminale, që tentoi ta bënte copë e çikë kombin. Të gjithë “krokodilët” socialistë shqetësohen se si të rikandidojnë për kryetar partie humbësin, që akuzon si tradhëtarë të të majtës cilindo, që bashkëpunon për çështje madhore kombëtare me ata që mendojnë ndryshe. Të pranojnë si misionar atë që tallet me koalicionet moderne, të cilat synojnë ta shpëtojnë Shqipërinë nga korrupsioni dhe vërfëría dhe t’ia shpejtojnë asaj integrimin në strukturat euroatlantike. “Krokodilët” socialistë, ashtu si të parët e tyre, nuk jetokan dot pa armiq imagjinarë. Ata po tregojnë se janë gati të mohojnë edhe të ardhmen e Shqipërisë për interesat e tyre meskine. Dhe, në vend që të entusiazmohen e ta duartrokasin si një guxim të lartë qytetar çdo bashkëpunim konstruktiv për interesa madhore mes njerëzish me bindje të ndryshme, mblidhen si mizat në lis për të “salduar” në krye të partisë humbësin e zgjedhjeve të tyre! Dhe bërtasin të bëjnë “Zeus” sharlatanin, që s’ka asnjë vizion për të ardhmen! Të adhurojnë atë që po shkatërron urat, me të cilat shqiptarët po përpiqen të realizojnë bashkërisht liberalizimin e vizave dhe integrimin e shpejtë të Shqipërísë në Europë. Po bëjnë çmos këta “krokodilë” socialistë të mbajnë si “Promete” atë që kërkon mohim të çdo përparimi, përçmim të çdo vlerësimi, injorim të çdo institucionalizimi të shtetit të së drejtës. Përpiqen, pra, të votëbesojnë ideatorin e hershëm të bojkoteve dhe bllokimeve qesharake të reformave madhore. Të rizgjedhin si “kokë” të PS-së atë që është në kërkim të vlerave të “qoftëlargut”, të konflikteve të tij, të shpifjeve dhe montazheve të tij kriminale, të nihilizmit absurd, të shkatërrimit të çdo bashkimi të shqiptarëve rreth një qëllimi të lartë. Përpiqen, pra, të vënë udhërrëfyes atë që, i çakërdisur nga egoizmi i tij i sëmurë, është vënë në kërkim të një limani, madjé, dhe të vetes së vet !...