Nga tërmeti i djeshëm me epiqendër në Peshkopi nuk ka viktima

Termeti që ra pak para mesnatës së kaluar, me epiqendër 19 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në verilindje të vendit, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatëmirësisht nuk raportohen viktima apo persona të lënduar rëndë si pasojë e tij. Sekretari i Prefekturës së Dibrës, Hajri Begu, bëri të ditur sot se "vetëm një fëmijë nga komuna Qender Tomin, ka marrë disa plagë të lehta si pasojë e lëkundjeve dhe pas ndihmës mjeksore në spitalin rajonal tashmë është kthyer në shtëpi". “Dëmtimet ne banesa janë të shumta”, tha Begu, duke shtuar se "ka dëmtime të oxhaqeve, mureve, etj”. Begu informon se sapo ka mbaruar një mbledhje e Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Dibrës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të njësive vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qëndrore, si dhe zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Pone. "Nga të dhënat e marra gjatë kësaj mbledhjeje po përpunohet një informacion i plotë, i cili do të bëhët i ditur për mediat", u shpreh Begu. Të paktën 59 lëkundje me intesitet të vogël janë shënuar pas lëkundjes së parë të tërmetit me magnitudë 7 ballë shkalla Rihter që u regjistrua pak para mesnatës së kaluar, me epiqendër 19 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në verilindje të vendit. Burime nga Instituti Sizmiologjik thanë se lëkundja e parë ka zgjatur 15 sekonda. Tërmeti ka pasur epiqendër fshatin Gjoricë, 19 km larg Peshkopisë, ndërsa lëkundje me fuqi 5.4 ballë janë ndier edhe në Tiranë, Durrës, etj. Sipas Institutit Sizmiologjik, lëkundja e fundit është shënuar në orën 06.30 minuta të mëngjesit të sotëm në fshatin Gjoricë. Tërmeti i rënë natën e kaluar ka shkaktuar dëme materiale në dy fshatra të rrethit të Dibrës, në Gjoricë dhe Shupenzë, ndërkohë që ka shkaktuar panik tek banorët, të cilët e kanë kaluar natën jashtë.
...