Berisha nga Çikago: Të bëhet çdo gjë për të shpëtuar jetën e tyre. Reagojnë dhe Topi e Rama
Kryeministri Berisha ka reaguar nga Çikago në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në Himarë. Sipas një njoftimi të Kryeministrisë, bëhet e ditur se Berisha është shprehur se po mban kontakte të vazhdueshme me autoritetet për këtë ngjarje të rëndë.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u informua për aksidentin e rëndë me pasoja tragjike që ndodhi në Himarë, në të cilin kanë humbur jetën një numër studentësh, si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre.
Kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë, për viktimat dhe ndan zinë dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Pas kryeministrit Berishë, për ngjarjen e rëndë kanë reaguar edhe presidenti Bamir Topi dhe kreu i PS-së, Edi Rama, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për tragjedinë e rëndë.
Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe.Duke ju siguruar që të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë, më lejoni t`ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional! Njëkohësisht u uroj shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur, shprehet Topi.
Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen.
Bashkitë socialiste të Himarës, Orikumit, Vlorës, të bëjnë të pamundurën për tu ardhur në ndihmë të dëmtuarve duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore për çdo gjë që mund të ndihmojnë. Eshtë me shumë rëndësi tu qëndrojmë pranë në këto orë të zymta familjeve të viktimave për tu lehtësuar sadopak dhimbjen e patregueshme, shprehet Rama.