PS reagon për dënimin e vëllait të Hekuran Dedës: Ta harrojë Saliu se do i shpëtojë drejtësisë
Kryetari i Partisë Socialiste për degën Dibër, Ulsi Manja, ka reaguar sot pas lajmit se vëllai i Hekuran Dedës është dënuar për shpifje.
Sot gjykata, më saktë një gjykatës që nuk njeh ligjin, nuk njeh procedurat, nuk njeh provat, nuk njeh liritë e të drejtat kushtetuese të qytetarit shqiptar, po njeh vetëm pushtetin vrastar të 21 janarit, vendosi të dënojë vëllain e Hekuran Dedës.
2.5 milionë lekë dhe detyrim me përgënjeshtrim në tre media, për vëllain e Hekuran Dedës pse denoncoi publikisht, po edhe në prokurori, përpjekjen e kryeministrit për të blerë me para gjakun e të vëllait.
Sali Berisha dërgoi natën në derën e familjes Deda një sekser që ofroi para në këmbim të një vizite të kryeministrit tek shtëpia e të vrarit të 21 janarit dhe familja pati jo vetëm dinjitetin që ta refuzojë ofertën e turpshme, por edhe kurajon që ta denoncojë atë publikisht. Vëllezërit e Hekuranit shkuan edhe në prokurori, ndërkohë që sekseri aktivizoi me mbështetjen e kryeministrit një proces gjyqësor të paturpshëm, në shkelje të ligjit, pa pritur përfundimet e hetimit nga ana e prokurorisë. Sot, një gjykatës që turpëron krejt sistemin gjyqësor, dha një vendim që nuk na çuditi aspak, por që na revolton edhe më shumë ndaj padrejtësisë së re që iu bë familjes Deda. Ky është një vendim që nuk revolton vetëm familjen tonë politike, po krejt Dibrën dhe çdo dibran të ndershëm, që pret drejtësi për vrasjen e dibranit fisnik Hekuran Deda, tha Manja.
Kreu i PS Dibër tha se vendimi i sotëm është një arsye më shumë për të larguar Berishën.
Ta harrojë Saliu dhe kush i shkoi atij qorrazi nga mbas në 21 janar duke qëlluar mbi protestuesit, se do ti shpëtojnë drejtësisë dhe do ta nëpërkëmbin dinjitetin e Dibrës së goditur me plumba vrastarë në trupin e Hekuranit, me vendime të turpshme gjyqësore si ky i sotmi.
Nuk gënjen familja Deda, nuk gënjejnë vëllezërit e Hekuranit, nuk gënjejnë dibranët e traditës së njohur të respektit për emrin e për shtëpinë e tyre dhe nuk ka shqiptar ta besojë se ajo familje e vrarë në shpirt mund ta ketë sajuar historinë e vërtetë e të dhimbshme të ofertës së turpshme të kryeministrit.
Kjo e sotmja është një arsye më shumë për ta larguar sa më parë nga qeveria Sali Berishën bashkë me hienat e tij të punëve të natës dhe për ta çliruar sa më parë drejtësinë nga presioni i këtij kryeministri nga veglat e veta qorre në sistemin gjyqësor shqiptar, tha Manja.