Berisha ngushëllon Obamën: Ndëshkim kapital për monstrat terroriste

“Ngjarje tronditëse për popullin amerikan dhe mbarë botën”. Kështu e ka cilësuar sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Libi Kryeministri Sali Berisha. Në një mesazh ngushëllimi ndaj Presidentit Obama, Berisha në emër të qeverisë dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar e barbar ndaj ambasadorit Stevens dhe tre punonjësve të Ambasadës amerikane. “Atentati terrorist i Benghazit në të cilin humbi jetën ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Libi zoti Christopher Stevens dhe tre punonjësit e Ambasadës Amerikane është një ngjarje tronditëse tejet e dhimbshme për Ju dhe kombin e tuaj ta madh, por edhe për shqiptarët dhe të gjithë miqtë tuaj në mbarë botën. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar e barbar ndaj ambasadorit Stevens dhe tre punonjësve të Ambasadës Amerikane dhe ju shpreh Ju, familjeve të viktimave, qeverise dhe kombit tuaj ngushëllimet më të sinqerta, ndjenjat më të thella të simpatisë e solidaritetit për këtë humbje të rëndë si dhe mbështetjen më të plotë në luftën kundër terrorizmit në botë”- shprehet Kryeministri.
“Qeveria shqiptare shpreh bindjen se nën udhëheqjen tuaj te vendosur, monstrat terroriste të Al Qaedës që kryen ne Benghazi aktin primitiv terrorist dhe fallanga e tyre kudo ne bote do te marrin nga SHBA dhe vendet e lira ndëshkimin kapital që meritojnë”- përfundon mesazhi ngushëllues i Kryeministrit Berisha.