Homazhe në kujtim të dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari
Kryeministri Berisha nderoi sot, ashtu si çdo vit, kujtimin e tribunit të demokracisë Azem Hajdari, i cili u ekzekutua 14 vjet më parë nga dora kriminale. Kryeministri zhvilloi homazhe pranë memorialit të tij, si dhe vendosi një tufë me lule në nderim të dëshmorëve Azem Hajdari dhe Besim Çera.
Në ceremoninë përkujtimore merrnin pjesë familjarë të Dëshmorit Azem Hajdari, Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Astrit Patozi, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe ministër i Financave, zoti Ridvan Bode, drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, si dhe shumë simpatizantë të Partisë Demokratike.
Kryeministri tha se në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë, tribuni legjendar Azem Hajdari kujtohet si njeriu, i cili me guximin, heroizmin dhe trimërinë e tij të jashtëzakonshme u kthye në një figurë simbol të përmbysjes së diktaturës komuniste dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri.
Me respekt dhe mirenjohje, ndaj figurave të Azem Hajdarit dhe Besim Çeres, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot ne nderojmë me respekt, mirënjohje të pakufishme, së bashku me të gjithë shqiptarët, kujtimin e tribunit të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarit, udhëheqësit të lëvizjes studentore dhe Partisë Demokratike dhe të sivllaut të tij Besim Çeres që u ekzekutuan në këtë vend nga banda të qeverisë në aktin më makabër, në vrasjen e shekullit për shqiptarët.
Ne nderojmë sot Azem Hajdarin në këtë 100 vjetor të pavarësisë sonë, por mendimi i parë që na vjen natyrshëm në mendje të gjithë shqiptarëve është se pa veprën e tij , pa trimërinë e tij, pa kurajën e tij, asnjë nga ne nuk e merr me mend se si do të ishim sot në 100 vjetorin e pavarësisë.
Ishte trimëria, heroizmi, guximi i jashtëzakonshëm i këtij tribuni legjendar, që në krye të lëvizjes studentore u përball në dhjetorin e ‘90 me diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur pas lufte, zhvilloi një betejë në limitet e legjendës në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti dhe e mundi atë. Ai hapi për shqiptarët dyert e lirisë, hapi për shqiptarët dyert e dinjitetit dhe në rast se sot ne jemi të lirë, në rast se sot ne jemi njerëz me dinjitetin e njerëzve të lirë, ia detyrojmë këtë, më shumë se çdokujt tjetër Azem Hajdarit dhe atyre studentëve që ai udhëhoqi me aq mençuri në dhjetorin e vitit ‘90. Nderojmë ne sot kujtimin e Besnik Çeres, një demokrat i thjeshtë, por vëlla në ideale, në shpirt dhe në zemër me tribunin e lirisë Azem Hajdari, i cili ra këtu në krye të detyrës.
Vepra e tribunit të lirisë bëhet gjithnjë e më madhe sa më të mëdha të jenë vlerat e lirisë për shqiptarë, sa më shumë ata ti vlerësojnë ato si pasurinë e tyre më të çmuar, aq më shumë ndrit kjo vepër e Azem Hajdarit dhe studentëve të dhjetorit.
Ndaj dhe njëherë nder përjetë kujtimit të Azem Hajdarit dhe Besim Çeres, veprës së tij të ndritur, nder të madh"!