E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nis fushatën: Jemi vend i zhvilluar (sërish asnjë fjalë për Albpetrolin)

Në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha takoi çdo deputet të pranishëm, duke u uruar një fitore në fushatën e ardhshme zgjedhore. Ka nisur kështu jozyrtarisht beteja e Berishës për të fituar një mandat të tretë.

Por pasi doli në podium për të folur në krah të Astrit Patozi, Berisha u shfaq i nxirë në fytyrë, duke mos reflektuar gëzimin e asaj fitore që paralajmëroi.

Energjitë e ripërtërira kësaj here do jenë energjitë e fushatës së ardhshme. Ne do bëjmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën e fushatave që kemi bërë deri më sot.

Në gjitha zonat tuaja elektorale, kudo që shkoj gjej projekte të realizuara, ose në realizim e sipër të këtij mandati, i cili është edhe mandati i transformimit të vërtetë të Shqipërisë, tha Berisha.

Por edhe pse slogani i Berishës deri më tani ka qenë Shqipëria, vend i zhvilluar në vitin 2017, Berisha tha se që tani vendi ka

disa tregues themelorë të vendeve të zhvilluara.

Kryeministri uroi fëmijët e mësuesit në ditën e parë të arsimit dhe shtoi se edhe në këtë drejtim, arritjet e Shqipërisë janë të mëdha. Ai përmendi sidomos hapjen e dyerve për studentët.

Por beteja për cilësinë është dhe do mbetet përcaktuese dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë betejë, tha Berisha.

Gara mes arsimit publik dhe atij privat ndikon fuqishëm në përmirësimin e cilësisë. Ne duhet të lehtësojmë investimet në fushën e arsimit dhe shëndetësisë në mënyrën më të vendosur.

Berisha foli edhe për çështjen e borxhit, duke thënë se vendi ynë ka marrë vlerësimet më pozitive për mbajtjen e borxhit nën kontroll.

Të dhëna optimiste, inkurajuese në këtë krizë që ka pllakosur në Europë e botë vijnë nga ekonomia shqiptare. Sipas statistikave të fundit, rezulton se shitjet, tregtia, shërbimet, që të gjitha kanë një rritje domethënëse. Tregtia ka një rritje prej 20 e ca përqind, eksportet e vendit kanë rritje dyshifrore. Këto të dhëna dëshmojnë se modeli ynë ekonomik po funksionon në kushtet e krizës më të egër që ka pllakosur Europën dhe zona të tjera të botës.

Revista më prestigjioze ekonomike e vendos Shqipërinë në zonën jeshile, duke e njoftuar borxhin nën 60 përqind.

Ne nuk kemi marrë nga viti 2005 deri më sot qoftë edhe një qindarkë borxh që nuk shkon për investime. Po investojmë në rrugë, në shkolla, në teknologji informacioni, në ujësjellësa, kanale vaditëse, tha Berisha.

Kryeministri foli edhe për çështjen e imunitetit dhe ftoi opozitën që nisma të votohet brenda shtatorit.

Vendosmëria për heqjen e imunitetit nuk ka të bëjë aspak me përpjekjen tonë për të fituar kapital politik nëpërmjet këtij akti. Në rast se ne vendosëm ti drejtohemi sovranit, kjo erdhi sepse socialistët nuk pranuan të votojnë. Këto ditë zoti Rama u shpreh publikisht në mënyrë të përsëritur se ata do të votojnë heqjen e imunitetit, pavarësisht nga qëndrimet e mazhorancës ndaj propozimeve të tjera për ndryshime kushtetuese. Unë e mirëpres këtë vendim të Partisë Socialiste, tha Berisha duke paralajmëruar sërish se nëse PS nuk voton, ata do i drejtohen sovranit.

Sa u përket propozimeve të tjera të PS për ndryshime kushtetuese, Berisha tha se PD e ka shprehur qëndrimin e saj.

Në mbyllje Berisha përshëndeti qytetarët e Kosovës për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Këto dy ditë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po heq mbikëqyrjen e pavarësisë së vendit. Kjo është një arritje historike e qytetarëve të Kosovës. Ndaj dhe unë në emrin tuaj e të qeverisë kam urimet më të përzemërta për qytetarët e Kosovës, tha Berisha.

Kryeministri nuk foli asnjë fjalë për çështjen e privatizimit të Albpetrolit, një nga çështjet më të nxehta aktualisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›