E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nis lobimin për statusin e vendit kandidat

11/06/2011  Javës që vjen, Kryeministri niset drejt Brukselit, takime me krerë të lartë të BE-së

Kryeministri do të shpjegojë dhe paqartësitë që kanë lindur për rezultatin e Tiranës

Kryeministri pritet të fillojë javën tjetër, takime intensive me krerë të partive qeverisëse evropiane, për të lobuar në lidhje me statutin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Megjithëse Shqipëria nuk i ka plotësuar ende kriteret, për shkak dhe të mospjesëmarrjes së opozitës në Kuvend, dhe mungesës së kuorumit për të votuar ligje që kërkojnë një pjesëmarrje të cilësuar siç është për shembull reforma në gjyqësor, që kërkon 84 vota. Kryeministri do të shfrytëzojë për këtë qëllim një mbledhje të Partive Popullore Evropiane, të cilat kanë dhe shumicën e vendeve në parlamentin evropian, për të sqaruar dhe pozicionin e qeverisë shqiptare në lidhje me këtë çështje. Edhe dje në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për Integrimin, Berisha bëri me dije se përgjigjet për statusin e vendit kandidat, do të dërgohen javës tjetër drejt Brukselit, nga ky këshill, por me sa duket kjo do të shoqërohet dhe nga vetë prania e Kryeministrit, i cili do të përpiqet që të shpjegojë dhe arsyet se përse nuk janë plotësuar këto kriteret. Për këtë çështje Kryeministri do të shfrytëzojë dy evenimente, një forum i cili zhvillohet në Gjermani, dhe mbledhjen e paralajmëruar të PPE-së që do të mbahet javës që vjen në Bruksel.

Rezultati i Tiranës

Por nga ana tjetër, duket se pjesë e arsyeve të lobimit, do të jetë dhe rezultati i Tiranës, për të cilët duket se mbështetësit e Shqipërisë atje kanë pasur paqartësi për mënyrën se si u zhvillua procesi i votave të hedhura në kutitë e tjera, brenda të njëjtës qendër votimi. Edhe dje përgjatë mbledhjes së Këshillit Ndërministror për Integrimin, Kryeministri Berisha u shpreh se përpara kompromisit politik, të kërkuar nga opozita sipas tij për Tiranën, mazhoranca zgjodhi shtetin ligjor dhe të drejtën universale sipas tij të numërimit të çdo vote “Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor. Nuk zgjidhet kurrë duke vendosur në epiqendër të një propagande, një grup gjykatësish që në këtë moment, në detyrën që u ka besuar shteti dhe shoqëria, janë në vendimet më të rëndësishme. Në nderim të Kushtetutës së tyre dhe të parimit universal të numërimit të çdo vote deklaruan se nuk mund të përjashtohet nga numërimi, as edhe një votë”,-tha Berisha. Nga ana tjetër Kryeministri i kërkoi opozitës të marrë pjesë në Kuvend dhe të lërë bojkotin, në rast se vërtet është e interesuar për reformat që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Numërimi i votave

Parimi i numërimit të çdo vote, ku qëllimi i qytetarit është shprehur, është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor, ndaj dhe i qëndruam një parimi të drejtë, parim, i cili ekziston në çdo demokraci. Vota e hedhur në një kuti tjetër, në ligjin shqiptar, por edhe në ligjet e botës, në gjykimet shqiptare, por edhe në gjykimet e botës është e vlefshme, kur zgjedhësi ka shprehur vullnetin e tij.

Qëndrimi

Ky është qëndrim parimor politik, po ky qëndrim gjeti sanksionim të plotë në vendimin e kolegjit zgjedhor. “5 me 0”, gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësit amerikanë, britanikë apo të çdo vendi tjetër, në nderim të Kushtetutës së tyre dhe të parimit universal të numërimit të çdo vote deklaruan se nuk mund të përjashtohet nga numërimi, as edhe një votë e vetme.

Plani i masave

Ky plan do të kalojë në Bruksel. Gjatë javës së ardhshme është edhe takimi i delegacioneve parlamentare të vendit, me delegacionet parlamentare të PE-së për Shqipërinë dhe është momenti të bëhet një paraqitje e zgjeruar e të gjitha realizimeve të bëra ndërkohë. E vërteta është që qeveria, ka bërë përpjekje për të përmbushur sa më shumë nga detyrimet që rrjedhin nga raporti i vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›